NGA: Klodiana Lala
Mirald Metallari, djali që vrau prindërit në shtëpinë e tyre në Bathore do t’i nënshtrohet një ekspertize psikike.

Me vendim të prokurorisë së Krimeve të Rënda, ekspertët e mjekësisë ligjore do të marrin kontakt me të dyshuarin dhe më pas do të konfirmojnë nëse ai vuan ose nga ndonjë çrregullim mendor. Akti i ekspertizës, që pritet të administrohet në dosjen hetimore, është një dokument tejet i rëndësishëm, pasi nëse rezulton që 22-vjeçari vuan nga çrregullime mendore, ai duhet të transferohet në një spital psikiatrik me masë mjekësore dhe s’mund të mbahet në paraburgim.

Vendimi për kryerjen e ekspertizës psikike u mor kryesisht nga prokuroria, për shkak se avokati dhe vetë i dyshuari për krimin e rëndë brenda familjes nuk e ka ngritur një pretendim të tillë. Mirald Metallari ekzekutoi babanë e tij, punonjës policie me armën e shërbimit të këtij të fundit, pas një debati për një bordurë betoni. Miraldi plagosi edhe nënën, e cila ndërroi jetë dy javë më vonë në spitalin e Traumës.

Ngjarja mori përmasa edhe më tragjike për shkak se ndodhi tri javë përpara martesës së vajzës së madhe të familjes kuksiane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: