Mbrëmje spektakolare për San Antonio Spurs, që reagojnë në momentin më të vështirë të sezonit dhe shtyjnë gjithçka drejt ndeshjes vendimtare. Pas humbjes së rëndë në sfidën e pestë dhe me eliminimin që trokiste në derë, Spurs zhvilluan një paraqitje thuajse perfekte duke mposhtur Oklahoma City Thunder me rezultatin bindës 118-91.

Njeriu i ndeshjes ishte pa diskutim Victor Wembanyama. Francezi ishte i papërmbajtshëm që në minutat e para, duke udhëhequr ekipin me 28 pikë dhe 10 kërcime në një tjetër performancë madhështore. San Antonio mori menjëherë kontrollin e lojës, dominoi ritmin dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren.

Vendimtare ishte edhe mbrojtja e Spurs, që neutralizoi MVP-në Shai Gilgeous-Alexander, i cili u ndal në vetëm 15 pikë, ndërsa Oklahoma City pati një mbrëmje për t’u harruar në sulm, me vetëm 37.2% saktësi në gjuajtje.

Tashmë gjithçka do të vendoset në aktin final: ndeshja e shtatë e finales së Konferencës së Perëndimit, që do të luhet të shtunën në mbrëmje në Oklahoma City. Një përballje ku nuk lejohet më asnjë gabim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: