Wizz Air, linja ajrore më e madhe e Shqipërisë njofton zgjerimin e mëtejshëm nga Shqipëria, duke caktuar edhe një avion tjetër në bazën e saj në Tiranë.

Ardhja e një avioni tjetër në Tiranë do të rrisë bazën e “Wizz Air” në 11 avionë.

Duke filluar nga sezoni dimëror i vitit 2023, pasagjerët do të mund të fluturojnë me “Wizz Air” nga Tirana në Bremen të Gjermanisë dhe Valencia të Spanjës.

Kjo lëvizje e çon numrin total të linjave ajrore nga Shqipëria në 56, duke përfshirë tre të reja të shpallura rishtazi.

Valeria Bragarenco, menaxhere komunikimi Wizz Air-është shprehur: “Caktimi i një avioni shtesë na lejon të forcojmë më tej ofertën tonë për pasagjerët shqiptarë, duke u dhënë atyre mundësi për të udhëtuar në 56 fluturime në 15 vende të Europës dhe më gjerë. Ne besojmë se investimi ynë do të ndihmojë për të sjellë më shumë vizitorë në këtë vend të bukur dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset dhe komunitetet në të gjithë rajonin”.

Piervittorio Farabbi, COO i aeroportit te Tiranës deklaroi: “Pas bashkëpunimit të gjerë me Wizz Air, kemi kënaqësinë të njoftojmë shtimin e një avioni të ri në flotën e linjës ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke e çuar numrin total të avionëve të stacionuar këtu në 11. Kjo shtesë e re tregon besimin e linjës ajrore në tregun shqiptar. Avioni i ri do të rrisë kapacitetin dhe linjat, duke ofruar më shumë mundësi për pasagjerët dhe duke mbështetur rritjen e turizmit dhe biznesit në rajon”.

Krahas këtij zgjerimi, kompania ka nisur një linjë tjetër nga Tirana në Selanik të Greqisë, e cila do të jetë në dispozicion të pasagjerëve nga data 14 gusht 2023. Linja do të operohet katër herë në javë, të hënën, të mërkurën, të premten dhe të dielën, me tarifa duke filluar nga 19.99 euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb