Nga ERMELINDA HOXHAJ* TIRANE- Ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë do të nisë brenda muajit janar, kështu deklaron zyrtarisht Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Punimet do të kryhen nga Komuniteti Mysliman i Turqisë, i cili është edhe financuesi kryesor i këtij objekti. Sipas KMSH, donacione janë bërë edhe nga besimtarët myslimanë shqiptarë, sidomos ata nga diaspora.
Nëpërmjet një interviste për “Gazeta Shqiptare”, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra zbulon detajet e projektit të xhamisë së madhe të Tiranës, e cila do jetë e një stili si xhamitë ekzistuese në vendin tonë, pra të një siti otoman. Xhamia e madhe e Tiranës, e cila pritet të mbushë edhe trekëndëshin e harmonisë fetare midis dy objekteve të tjera të kultit, do ketë katër minare, në përbërje të saj do ketë bibliotekë, sallë konferencash, por edhe ambiente për vizitorët dhe botën fëmijërore. Një ndër risitë e projektit është parkimi nëntokësor, shkallët elektrike si dhe shtimi i sipërfaqes së gjelbëruar.
Zoti Gurra, kur do nisë puna për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë?
Një nga pozitivitetet e klasës udhëheqëse politike që drejton shtetin momentalisht është përmbyllja e një kapitulli të stërzgjatur të ndërtimit të një tempulli. Zvarritja e madhe në dy dekada, por edhe mënyra e keqpërdorimit, pa nxjerrë fajtor apo arsye u kthye në një gangrenë. Por, falë ndërhyrjes së shtetit, ky kalvar u mbyll dhe brenda muajit
janar do të startojë puna në terren për ndërtimin e xhamisë. Në rrethimin ku do ndërtohet xhamia është bërë një gërmim sipërfaqësor, i cili nuk përbën as 1 për qind të punimeve, sepse realisht nuk nisi asgjë. Brenda janarit, pa datë, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Turqisë, i cili është investitori i këtij objekti kulti, pritet të vijë kompania e ndërtimit së bashku me një pjesë të mjeteve të ndërtimit. Punimi fillestar ka një specifikë, pasi do bëhen gërmime. Një pjesë të mjeteve të rënda do jenë nga këtu, përfshi edhe disa punonjës dhe inxhinierë, por pjesa kryesore do jenë turq.
Fjala e thënë është se brenda muajit janar do instalohen makineritë dhe do të nisë puna për gërmimet.
Për sa i përket projektit të xhamisë, cilat janë detajet dhe a do ketë ndryshime nga projekti i mëparshëm?
Objekti ka ndryshime. Ka shtesë, të cilën e quaj vlerë dhe është sipërfaqja e gjelbër. Pra, është shtuar ndjeshëm sipërfaqja e gjelbëruar në krahasim me betonin, nëse mund ta quajmë kështu. Për arsye të terrenit, pasi nuk është në një nivel, një pjesë e katit do jetë e gjelbëruar. Do të mbillet me një lloj bimësie, e cila nuk rritet shumë dhe nuk ka nevoje për terren, pasi nuk ka rrënjë të thella. Shtimi i hapësirës së gjelbër ka një kombinim të përkryer të gjelbërimit me objektin. Objekti i kultit që do ndërtohet do jetë në shërbim jo vetëm të besimtarëve praktikantë, por edhe të qytetarëve që dëshirojnë ta vizitojnë.
Projekti i xhamisë, ose më saktë fotoja që është përdorur për ta ilustruar xhaminë që do ndërtohet, është identike me një xhami në Stamboll. Përse nuk ndërtohet një xhami unike, që të mos jetë pasqyrë e një xhamie të ndërtuar në një vend tjetër? Nuk po them për një ndryshim total të stilit dhe as për një xhami futuristike, e cila të mos dallohet se është objekt kulti, por për një projekt unik?
Fillimisht pati një ngjashmëri deri diku të plotë, por me miratimin e fundit, terreni i jashtëm ka një thyerje të madhe të betonit, apo e mermerit që do përdoret në kubaturën e ndërtimit nga gjelbërimi. Me të drejtë zërat kundër janë shqetësuar për gjelbërimin që do dëmtohet dhe i cili është i domosdoshëm për kryeqytetin. Ndaj mbjellja e pemëve
dhe shtimi i gjelbërimit në projekt është vlerë për çdo besimtar. Ka dhe sistemime të ambienteve të brendshme. Projekti parashikon të ketë sallë konferencash, hapësira për familjarët, do jetë e hapur për publikun, do ketë hapësira për botën fëmijërore, do ketë dhe vend parkimi. Duke qenë se mendohet se do ketë një fluks është menduar të ndërtohet nën tokë edhe një parkim për lehtësimin e qarkullimit. Xhamitë nuk janë vend vetëm për të kryer ritet fetare. Ashtu siç është vërtetuar me xhaminë e Et’Hem Beut, të cilën e vizitojnë turistët që vijnë në Tiranë, edhe kjo xhami do ngjallë
interes për t’u vizituar.
Parkimi është një gjë e re, pasi nuk është përmendur asnjëherë më parë?
Në projektin e mëparshëm nuk ka pasur një qartësim të gjërave. U mor një xhami, që së shumti në janë në Stamboll. Xhamitë shqiptare si ajo e Et’hem Beut, ajo e Elbasanit, ajo në qendër të Vlorës, ajo e Durrësit janë shprehje sa e stilit osmano-shqiptar, por edhe shprehje e kapaciteteve financiare të Shqipërisë. Pra, kanë qenë xhami qytezash.
Është e saktë ajo që ju thoni, nuk kemi përse të kopjojmë një model, por modeli nga Turqia nga ana arkitekturore nuk është një gjë e huaj për ne. Tabela e rrethimit nuk ka saktësi dhe nuk e kuptoj përse ka mbetur ende aty. Ajo që dua të them është se myslimani si në Turqi, Gjermani, Amerikë apo Shqipëri është i njëjtë. Por konteksti kombëtar i shton vlera dhe nuk i heq besimit, ndaj duke qenë se ne jemi të njohur me këtë arkitekturë, pra nuk është e huaj për ne dhe nuk tërheq vëmendjen në sensin negativ, as për myslimanët dhe për jomyslimanët, apo ateistë, përse të mos e përdorim. Kjo xhami vetëm se është gjigante, por do jetë si të tjerat. Në momentin që ndërthuret shumë mirë, duke i dhënë pjesën që i duhet mjedisit dhe ambientet çlodhëse për qytetarët, duke pasur një hapësirë të blertë, ajo e ka përmbushur një pjesë të misionit të vet.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb