Një grup prej 24 deputetësh të Partisë Demokratike ku bëjnë pjesë emra, që deri më sot kishin shprehur qëndrimin e tyre kundër Sali Berishës dhe të tjerë që kanë qëndruar në hije, janë mbledhur në një lokal në Tiranë për të diskutuar mbi të ardhmen e aksionit të tyre politik.

Sipas gazetarit Osman Stafa deputetët ku bëjnë pjesë emra si Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi, Grida Duma apo Ervin Salianji po diskutojnë për situatën në PD, ku prej muajsh nuk është gjendja e qetë dhe normale.

“Kemi deputete të PD që i janë bashkuar Sali Berishës dhe të tjerë që kanë përkrahur Enkelejd Alibeajn. Është edhe një grup tjetër që ka qëndruar në hije duke mos u përfshirë në përplasjet e dy grupeve të tjera”, raportoi Stafa për një analizë të gjendjes në selinë blu.

Ndërkohë ai ka arritur të mësojë se shumë nga deputetët e selisë blu i kanë komunikuar se ndjenin keqardhje që PD nuk ishte e përfaqësuar sot në Bruksel, kur shënohej kjo ditë historike për Shqipërinë, siç është nisja e bisedimeve të anëtarësimit.

Kjo mungesë në tryezë sipas shpjegimeve të tyre është pasojë e problemeve të brendshme në parti. Ndërkohë, mësohet se kanë qenë Lefter Gështenja dhe Flamur Hoxha ata që kanë ftuar deputetët që të diskutojnë për të ardhmen në PD.

Burime nga mbledhja e deputetëve të PD-së gjithashtu kanë zbuluar se në diskutimet mes tyre, deputeti Ervin Salianji ka kërkuar bashkimin me deputetët që janë deri më tani në krah të kryetarit Sali Berisha.

“Duhet të ulemi të gjithë bashkë, duhet bërë gjithçka për bashkim! Nuk mund të përjashtojmë dot realitete politike”, ka thënë Salianji.

Këta deputetë, më saktë shumica e tyre iu bashkuan protestës së thirrur nga Sali Berisha kundër kryeministrit Edi Rama. Protesta e 7 korrikut ishte pika kur shumë deputetë që ishin kundër Berishës u bashkuan me të, por ata kërkuan që pjesëmarrja të lexohej si bashkim me kauzën kundër Ramës dhe jo për Berishën personalisht.

Gjithsesi mbetet për t’u parë në PD do të unifikohet edhe pas thirrjes në konferencën e fundit për mediat të kryetarit të saj Sali Berisha që i ftoi të gjithë deputetët që deri më tani i kishin dalë kundër ose kanë qëndruar në hije, që t’i bashkohen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb