Gazetari Osman Stafa i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për situatën brenda Partisë Demokratike dhe takimin informal mes kreut të grupit parlamentar të PD me Flamur Nokën.

Gazetari Stafa zbuloi se sipas informacioneve që ai zotëron është dakordësuar një takim me Gazment Bardhit dhe Shpëtim Idrizit, pasi ky i fundit nuk kishte marrë pjesë në takim.

“Vetë aleatët kanë kërkuar që 3 PD-të të bëhen së bashku, për të qenë një alternativë për zgjedhjet e vitit 2025. Dua të theksoj se zoti Idrizi nuk ka qenë pjesë e takimit. Sipas burimeve të mia është dakordësuar një takim mes Bardhit dhe Idrizit, ku në fokusi do jetë bashkimi i PD-ve. Kanë kërkuar një bashkim, duke lënë pas sulmet ndaj njëri-tjetrit. Nëse marrim në analizë situatën brenda PD-së, ka pasur kauza mjaft të forta ndaj njëri-tjetrit. Ka ngjarje që janë ende të freskëta, ku p.sh. Zoti Noka bën fajtor Bashën për situatën e tanishme të PD-së. Noka ka deklaruar se brenda janarit do të mundësohet bashkimi i PD-së dhe një koalicion i gjerë opozitar. Megjithatë do të shihet se si palët do tentojnë bashkimin e tyre. Berisha është i angazhuar në bashkimin e PD-së.

Qëllimi i zotit Mediu nga ajo çka ka deklaruar është të mos kalohet pjesa që një muaj para zgjedhjeve ata do të duhet të regjistrohen. Në zgjedhjet e majit 2023, u përdor emri i Partisë së Lirisë. Nëse grupi i Rithemelimit merr emrin, do garojë në emrin dhe vulën e PD-së. Qëllimi është që pasi Konfederata të finalizohet është nisja e aksionit në terren, ku do të zhvillojnë takime me qytetarët.”, u shpreh gazetari Osman Stafa.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb