Një rrugë me kalldrëm, e ndërtuar rreth 7,000 vjet më parë, është zbuluar nën ujërat e Detit Adriatik pranë ishullit Korçula në Kroaci, duke hedhur dritë mbi nivelin e zhvillimit dhe organizimit të komuniteteve neolitike që jetonin në rajon mijëra vite më parë.
Zbulimi u bë në sitin arkeologjik nënujor të Solinës, një prej vendbanimeve prehistorike më të rëndësishme të Mesdheut. Sipas arkeologëve, rruga shërbente si lidhje mes vendbanimit dhe pjesës kryesore të ishullit.
Rruga është rreth katër metra e gjerë dhe është ndërtuar me pllaka guri të vendosura me kujdes. Sot ajo ndodhet 4 deri në 5 metra nën sipërfaqen e detit, ku për mijëra vjet ka qenë e mbuluar nga shtresa balte dhe sedimentesh detare. Pas pastrimit të zonës, studiuesit konstatuan se struktura është ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Zbulimi është rezultat i një bashkëpunimi mes Universitetit të Zadarit, Muzeve të Dubrovnikut, Muzeut të Qytetit të Kaštelës dhe Muzeut Bashkiak të Korçulës, me ndihmën e zhytësve dhe fotografëve nënujorë. Sipas Universitetit të Zadarit, kjo rrugë është përdorur nga njerëzit rreth vitit 4900 para erës sonë.
Një ishull artificial nga periudha neolitike
Rruga të çon drejt vendbanimit të Solinës, i cili, sipas studiuesve, ishte ndërtuar mbi një ishull artificial. Ky ishull ishte krijuar me ndërhyrje njerëzore dhe ndahej nga pjesa tjetër e Korçulës përmes një rripi të ngushtë toke.
Siti arkeologjik u identifikua në vitin 2021 nga arkeologu Mate Parica, i Universitetit të Zadarit, pasi ai vuri re formacione të pazakonta në fundin e detit përmes imazheve satelitore. Gjatë zhytjeve të mëvonshme u zbuluan mure guri dhe mbetje të një vendbanimi të mirëorganizuar. Ekspertët theksojnë se pozicioni i mbrojtur i Solinës në Adriatik ka qenë vendimtar për ruajtjen e saj. Ishujt përreth kanë zbutur ndikimin e dallgëve, duke bërë që rruga dhe muret e vendbanimit të mbeten pothuajse të paprekura për mijëra vjet.
Siti ndodhet në një gji mes qytetit të vjetër të Korçulës dhe fshatit Lubardë. Muret e vendbanimit gjenden në rreth katër metra thellësi dhe janë të dukshme edhe për zhytësit amatorë me maskë, ndërsa një pjesë e objekteve të zbuluara tashmë ekspozohen në Muzeun Bashkiak të Korçulës. Datimi me radiokarbon i mbetjeve prej druri të gjetura pranë vendbanimit tregon se ai është ndërtuar rreth vitit 4900 para erës sonë, në periudhën neolitike, kur njerëzit nisën të braktisnin jetën nomade dhe të krijonin vendbanime të përhershme.
Arkeologët ia atribuojnë ndërtimin e rrugës dhe të vendbanimit kulturës Hvar, një kulturë e njohur neolitike dhe e epokës së bakrit që u zhvillua përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut. Në zonë janë gjetur gjithashtu sëpata guri, tehe, enë qeramike të zbukuruara dhe objekte të tjera karakteristike të kësaj kulture.
Zbulohet edhe një vendbanim i dytë nën ujë
Gjatë kërkimeve në Solinë, studiuesit identifikuan edhe një vendbanim tjetër të panjohur më parë në Gjirin e Gradinës, në anën tjetër të ishullit Korçula. Edhe ky vendbanim ndodhet 4 deri në 5 metra nën ujë dhe paraqet ngjashmëri të mëdha me Solinën, si për sa i përket arkitekturës ashtu edhe objekteve të gjetura. Zhytësit kanë zbuluar sëpata guri, tehe dhe fragmente qeramike që lidhen gjithashtu me kulturën Hvar.
Sipas arkeologëve, ekzistenca e dy vendbanimeve të ngjashme pranë të njëjtit ishull tregon se Korçula ka pasur një popullsi neolitike shumë më të madhe dhe më të organizuar sesa mendohej deri më sot.
Vendbanimet neolitike të fundosura janë jashtëzakonisht të rralla në Mesdhe, pasi shumica e vendbanimeve bregdetare janë shkatërruar nga erozioni ose kanë mbetur mbi nivelin e detit. Për këtë arsye, zbulimi në Korçulë konsiderohet një burim i çmuar informacioni për mënyrën e jetesës, teknikat e ndërtimit dhe organizimin shoqëror të komuniteteve që jetonin në brigjet e Adriatikut rreth shtatë mijë vjet më parë.
