“Zbutet” policia dhe jep garanci për mbarëvajtjen e ndeshjes KamzaSkënderbeu, e parashikuar për t’u luajtur nesër në orën 16:00, në stadiumin e Kamzës. Një ditë pasi kishte refuzuar të merrte përsipër sigurinë në ndeshjen që do të luhet të hënën, komisariati i policisë së Kamzës ka sqaruar dje se gjithçka ka ndodhur ka qenë një keqkuptim.

“Panorama Sport” mëson se presidenti i Kamzës, Naim Qarri, bashkë me shefin e klubit, Albert Bana, janë takuar ditën e djeshme me krerët e komisariatit të Kamzës. Sipas drejtuesve të këtij komisariati, ka pasur një keqkuptim në komunikimin që është bërë me klubin pak ditë më parë.

“Ne nuk kemi thënë se nuk e marrim përsipër ndeshjen e Kamzës. Ka qenë thjesht një përgjigje rutinë në sportelet e komisariatit”, tregojnë për gazetën burime zyrtare të policisë vendore. Kësisoj, nesër forcat e rendit do të jenë në krye të detyrës për të garantuar siguri në takimin mes Kamzës dhe Skënderbeut.

Ndërkohë që dje ka nisur shitja e biletave dhe pritet që të hënën stadiumi të jetë i tejmbushur me afro 4 mijë tifozë të pranishëm. Klubi ka vendosur që në tribunën VIP çmimi i një bilete të kushtojë 500 lekë, ndërsa në të gjithë sektorët e tjerë nga 100 lekë.

SULMUESI

Orë vendimtare për Sebino Plakun. Sulmuesi ka një gjyq të hapur në Poloni me ish-klubin e tij, Slask Vroklav, dhe duhet të paraqitet të hënën në Varshavë, aty ku në Federatën e Futbollit të Polonisë do të zhvillohet seanca e radhës.

Plaku ka kërkuar leje nga drejtuesit për t’u larguar në ditën që përkon me ndeshjen ndaj Skënderbeut, por mësohet se klubi nuk i ka dhënë OKin. Gjithsesi, sot në mëngjes pritet të mësohet nëse Plaku do të mungojë ose jo ndaj Skënderbeut.

Gjasat janë që të mos jetë i gatshëm, pasi i duhet të jetë me patjetër në Poloni të hënën, por kjo mbetet për t’u parë në orët në vijim./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: