TIRANË- Përfundimi i numërimit të votave në 56 bashki ka nxjerrë fituese 8 gra, të cilat janë të gjitha pjesë e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Kështu në 56 bashkitë ku ka përfunduar votimi, 42 prej tyre janë fituar nga ASHE, ndërsa 13 bashki janë fituar nga Aleanca Popullore për Punësim dhe Dinjitet e kryesuar nga Partia Demokratike, ku deri më tani nuk ka asnjë kryebashkiake femër të zgjedhur, ndërsa pritet përfundimi i numërimit në Bashkinë e Shkodrës ku përballë janë dy gra, Voltana Ademi për APPD-në dhe Keti Bazhdari për ASHE-në. Pra, sido që të jetë rezultati Shkodra do të jetë bashkia e nëntë që do të qeveriset nga një grua.

Sa i takon bashkive të numëruara, e para që i është gëzuar fitores ishte kandidatja Florjana Koka, e cila tashmë do të marrë drejtimin e Bashkisë së Sarandës. Më tej, këtij gëzimi i janë bashkuar Luljeta Dollani në Bashkinë e Gramshit, Majlinda Bufi në Roskovec, Luiza Mandi në Libohovë, Juliana Memaj në Urën Vajgurore, Rajmonda Balilaj në Patos, Zamira Rami në Gjirokastër dhe Miranda Rira në Prrenjas.

1. Bashkia Sarandë – Florjana Koka
2. Bashkia Gramsh – Luljeta Dollani
3. Bashkia Libohovë – Luiza Mandi
4. Bashkia Patos – Rajmonda Balilaj
5. Bashkia Gjirokastër – Zamira Rami
6. Bashkia Përrenjas – Miranda Rira
7. Bashkia Roskovec – Majlinda Bufi
8- Bashkia Urë Vajgurore- Juliana Memaj

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: