Ka nisur procesi i votimit në 6 bashki të vendit për 6 kryetarët e rinj të bashkive. Në orën 7:00 është hapur votimi në Vorë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër dhe Dibër.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se në Vorë në Qendrën e Votimit 15/50 me rreth 8 mijë votues nuk ka nisur votimi në orën 07:00, por rreth 49 minuta me vonesë, pasi s’ka ardhur sekretari megjithëse orari ka filluar dhe votuesit janë paraqitur. Në Vorë votohet dhe numërohet elektronikisht dhe rezultati do të shpallet 1 orë pas mbylljes së procesit të votimit. Në Bashkinë e Vorës ka 44 QV.

Dhe në Durrës votimi ka nisur normalisht. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi se në orën 07:00 Qendrat e Votimit janë hapur dhe ka nisur procesi pa probleme.

Gazetari Fatmir Popja raportoi se në Rrogozhinë janë hapur 52 Qendrat e Votimit normalisht dhe një burgun e Peqinit. Probleme janë shfaqur me funksionimin e kamerave, të cilat nuk funksionojnë.

Gazetari Ervis Kuçi raportoi se në Lushnjë procesi ka nisur normalisht prej orës 07:00. Në Bashkinë Lushnjë ka 2 KZAZ, 2 vende të numërimit të Votave, 157 qendra votimi dhe janë regjistruar 104.249 zgjedhës, 2000 për herë të parë.

Ne tetë zgjedhje lokale të zhvilluara pas komunizmit kjo bashkia është fituar 4 herë nga PS, 3 herë nga PD dhe 1 herë nga LSI. Për ruajtjen e të gjithë materialeve zgjedhore janë angazhuar 198 punonjës policie.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” nga QV 269 në qytet, ku tha se procesi i votimit ka nisur normalisht, por numri i qytetarëve është i vogël. Janë 280 QV dhe 4 KZAZ. në Shkodër kandidojnë tre emra.

Në zonën e Dukagjinit, në 3 njësitë Pult, Shoshë dhe Shalë ka probleme për shkak të reshjeve të dëborës dhe motit të keq dhe qytetarët e kanë të pamundur të shkojnë dhe të votojnë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gazetari Enver Doçi raportoi se në bashkinë e Dibrës ka mungesë energjie në disa fshatra dhe procesi nuk ka nisur ende. Në Dibër janë dy qendra 2 dhe 3 ku nuk ka sërish problematika për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dëborës. Kjo bashki është përfshirë nga temperatura tepër të ulëta dhe ka reshje të vazhdueshme bore. Në zonat e thella nuk ka shkuar asnjë borëpastruese për të hapur rrugët.  Janë 56 mijë qytetarë me të drejtë vote, parashikohet pjesëmarrja e rreth 28 mijëve.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi se KAS vendosi që KZAZ në Vorë të pranojë listat e propozuar nga PD për komisionerë të Qendrave të Votimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb