Kancelari gjerman Olaf Scholz, kreu i Social Demokratëve (SPD) në deklaratën e parë pas publikimit të Exit Polleve thotë se rezultatet e zgjedhjeve janë “të hidhura” për partinë e tij, duke i quajtur ato një “humbje”.
Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz tha se ishte një moment “në të cilin ne duhet të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet”.
Në zgjedhjet e kaluara, thotë ai, partia ka pasur një rezultat “më të mirë” për të cilin ai ka qenë “përgjegjës”, duke shtuar se ky rezultat “është më i keq, dhe unë jam përgjegjës edhe për këtë”.
Scholz uroi Friedrich Merz, kreun e Partisë Konservatore Demokristiane, për fitoren e tij.
Kujtojmë që, exit poll-et treguan SPD-në në vendin e tretë, me 16-16.5 për qind të votave. CDU/CSU kryesojnë me 28.9% dhe pas tyre vjen AfD me 19.7%.
Ndërkohë, Sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Matthias Miersch, ka komentuar rezultatet e para të zgjedhjeve në Gjermani, duke e cilësuar humbjen si “historike” dhe një mbrëmje të hidhur për partinë.
Ai theksoi se koalicioni, i formuar nga SPD-ja, ka dështuar dhe është rrëzuar nga zgjedhësit.
Në një përgjigje për mundësinë që SPD-ja të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, Miersch tha se fjalën e fundit do ta kenë anëtarët e partisë, duke lënë të hapur mundësinë e një vendimi brenda-partiak, mbi hapat që do të ndjekin pas këtyre rezultateve.

(Balkanweb)
