Për dekada me radhë, Gjermania ka përqafuar rolin e saj si Zivilmacht — një “fuqi civile” — duke shmangur asertivitetin ushtarak në favor të diplomacisë, ndikimit ekonomik dhe bashkëpunimit multilateral. Sot, megjithatë, Berlini ka hedhur hapa të vendsora për një rrugëtim të ri historik. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pasiguria në rritje në kufijtë e Evropës, si edhe riorientimi historik i SHBA-së në drejtim të Azisë,  e kanë detyruar klasën politike gjermane të mos tolerojnë më inaktivitetin dhe pasigurinë.

Nën moton Zeitenwende — një pikë kthese — Gjermania po riarmatoset, duke investuar në ushtrinë e saj në nivele të papara prej shumë kohësh, duke sinjalizuar kështu një ndryshim vendimtar drejt shndërrimit të saj në një fuqi ushtarake në Evropë. Qeveria e sapozgjedhur, nën drejtimin e kancelarit Friedrich Merz, ka propozuar një fond infrastrukture prej 500 miliardë eurosh për dekadën e ardhshme, me synimin për të forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë. Paralelisht, diskursi publik dhe ai politik po kalojnë një proces të thellë normalizimi në lidhje me rolin e forcës ushtarake në politikën e jashtme gjermane.

Ndonëse për disa tronditës,  për shumë ky transformim përbën një evolucion të domosdoshëm: një njohje se mbrojtja e paqes, demokracisë dhe sovranitetit evropian kërkon tashmë jo vetëm autoritet moral, por edhe fuqi të fortë. Rikthkimi i Gjermanisë si një forcë udhëheqëse ushtarake premton të riformësojë rolin e saj në Perëndim dhe arkitekturën e sigurisë evropiane për dekadën e ardhshme.

Krahas këtyre zhvillimeve dhe në një kohë kur politika botërore dhe evropiane është gjithnjë e më e trazuar, ndryshimet në kupolat drejtuese të politikës së jashtme në Berlin marrin një rëndësi jetike për të gjithë Evropën, dhe në veçanti për vendin tonë. Me shpalljen e qeverisë së re nën drejtimin e kancelarit Merz, dy emërime të posaçme japin sinjale të fuqishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor: Johann Wadephul si Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe Gunther Krichbaum si Ministër për Evropën pranë Ministrisë së Jashtme​.

Gjermania ka qenë gjithmonë një mbështetëse thelbësore e Shqipërisë, megjithëse shpesh në një mënyrë të heshtur, pa bujë mediatike, por me ndikim real dhe të qëndrueshëm. Nga mbështetja për reformat demokratike, deri te kontributi konkret për shtetin e së drejtës dhe integrimin evropian, Berlini ka qëndruar pranë nesh edhe në momentet kur shumë të tjerë ngurronin. Tashmë, me Wadephul dhe Krichbaum në poste kyçe të politikës së jashtme, kjo mbështetje mund të marrë një dimension edhe më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë.

Johann Wadephul, një njohës i mirë i dinamikave ndërkombëtare dhe një politikan me një profil të lartë pragmatizmi dhe përkushtimi, është i njohur për qëndrimet e tij të qarta dhe të vendosura ndaj autoritarizmit dhe agresionit rus në Ukrainë. Pozicioni i tij i prerë ndaj politikave të Vladimir Putinit tregon për një diplomaci gjermane që nuk do të tolerojë shantazhet dhe do të qëndrojë në anën e parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata në rajonin tonë që shqetësohen për ndikimet malinje dhe destabilizimi nga aktorë të huaj, sikurse edhe për ata të cilët me të drejtë shqetësohen për rolin destabilizuez që Serbia dhe Rusia vazhdojnë të luajnë në rajon. Për Kosovën, si edhe për faktorin shqiptar në përgjithësi, kjo nënkupton një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme, në krah të partnerëve që janë të gatshëm të mbrojnë paqen dhe rendin demokratik në rajon.

Ndërkohë në krah të Wadenphul, Gunther Krichbaum përfaqëson një mbështetje të palëkundur për zgjerimin evropian dhe për proceset e thelluara të reformave në rajon. I angazhuar që prej më shumë se 20 vitesh në çështjet e Evropës Juglindore, ku ndodhet edhe Shqipëria, Krichbaum është një njohës i mirë i sfidave me të cilat përballet Shqipëria dhe një mbështetës i pandalur i institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë këtu edhe SPAK, të cilën e ka vlerësuar publikisht si një model të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit​.

Emërimi i këtyre dy figurave në udhëheqjen e politikës së jashtme gjermane përkon me një moment kritik për Shqipërinë, Kosovën, dhe rajonin tonë: një fazë ku përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon jo vetëm vullnet politik të brendshëm, por edhe mbështetje të qartë nga aleatë kyç ndërkombëtarë. Gjithashtu, në një moment kur integrimi në Evropë është kthyer thjesht në një patericë retorike, serioziteti dhe interesimi i ministrave Wadenphul dhe Kirchbaum mund të shërbejnë si një mundësi për të shtyrë qeverinë dhe opozitën shqiptare të kalojë nga fjalët në veprime konkrete dhe të forcojë angazhimin për reforma të thella dhe të qëndrueshme.

Në këtë kontekst, mbështetja e një Gjermanie të udhëhequr nga figura që e kuptojnë thellë rajonin tonë, që mbrojnë vlerat evropiane dhe që nuk bëjnë kompromis me demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare, është një mundësi e vyer për një përmirësim të mirëfilltë dhe kuptimplotë të Shqipërisë. Thënë ndryshe, për klasën politike shqiptare mbështetja e qartë nga Gjermania për vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe zgjerimin e BE-së vendos një presion të konsiderueshëm mbi ta për të përshpejtuar reformat e saj, veçanërisht në fushat e drejtësisë dhe qeverisjes.

Politikanët shqiptarë duhet të tregojnë një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të forcëzuar institucionet, duke pasur më pak tolerancë për masat gjysmake ose taktikat e vonesave. Gjermania, aleatja jonë e heshtur, sapo ka bërë një hap të madh që duhet përshëndetur nga të gjithë ata që e duan Shqipërinë në Evropë.

Bledar Milaqi* është drejtues i Prolegomena Policy Consulting në Gjermani. Medlir Mema* është Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel. Të dy janë njëkohësisht anëtarë të bordit drejtues të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë.” 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb