TIRANE– Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet procesin demokratik që karakterizoi zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, të cilat u zhvilluan më 11 Qershor 2017. Në një deklaratë për mediat, MPJ thekson se, “Shprehja e vullnetit të lirë në një proces të drejtë e konkurues përbën një tjetër provë solide të konsolidimit të demokracisë në Kosovë”.
“MPJ shpreh besimin se institucionet e reja do të krijohen së shpejti, në përputhje me vullnetin e shprehur dhe kushtetutën e vendit, për t’iu përgjigjur përparësive, nevojave dhe sfidave të zhvillimit, përfshirë përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik.
MPJ pret të vijojë sa më parë bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm me qeverinë e re, në të mirë të forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve mes Shqiperisë dhe Kosovës, por edhe për të dinamizuar e konkretizuar më tej bashkëpunimin në kuadrin rajonal”, thuhet në njoftimin e MPJ.
(BalkanWeb)