Kreu i Partisë Demokratike sapo ka votuar në zgjedhjet për kreun e PD, ku emri i tij është i vetmi në listë.

Pas votimit, Berisha përshëndeti demokratët që kanë marrë pjesë në proces, duke e cilësuar atë si “shembullor” dhe një formë demokratike për të shprehur besimin ose kundërshtinë ndaj kryetarit të partisë. Ai u bëri thirrje anëtarëve të PD-së që ende nuk kanë votuar, të marrin pjesë në proces, të cilin e cilësoi si një standard që zbatohet edhe në partitë moderne europiane dhe botërore.

Në fund të deklaratës së tij, Berisha tha se do të përmbushë “me përkushtim” detyrimet ndaj demokratëve dhe vendimit të tyre.

“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehim besimin ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij. Ftoj demokratët që ende nuk kanë votuar të përmbushin detyrimin e rëndësishëm statutor ndaj një procesi më demokratik që ekziston në disa parti moderne europiane dhe botërore. Sepse pjesa tjetër duartrokasin në sallë zgjedhjen e tyre.
Do të përmbush me përkushtim detyrimet e mia ndaj qendrimit të tyre”, tha ai në prononcimin për mediat.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb