Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fitim Zekthi, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike, si edhe rikthimin e Lulzim Bashës.

Zekthi deklaroi se vendimi i Bashës për të përjashtuar nga radhët e PD-së Sali Berishën ka qenë një “gur themeli” që e ka mbajtur këtë forcë politike pranë partnerëve euroatlantikë.

Ai u shpreh se nëse dikush ka pikëpamje të ndryshme në politikë ai mundet me garë, ndërsa shtoi se për këtë arsye nuk është kundër kandidimit të Sali Berishës për kryesinë e PD-së.

Zekthi shtoi më tej se edhe nëse Basha “mund të jetë shumë i keq”, ai duhet të mundet përmes garës dhe votës në parti.

“Basha ka marrë në 9 shtator 2021 një vendim që u mbrojt nga PD deri në mars 2022 dhe ai vendim mendoj se mbart disa vlera politike, jo kundër Berishës, por ai vendim është gur themeli sepse e mban partinë në shina logjike dhe pranë partnerëve tanë.

Partitë e djathta nuk fitojnë nëse largohen nga kontrolli i elitës së vjetër. Kur dikush ka pikëpamje të ndryshme me një politikan, ai mundet me garë. Unë nuk jam kundër futjes së Berishës në garë. Basha mund të jetë shumë i keq. Nëse nuk të pëlqen dil në garë dhe munde ose gjej dikë që të garojë”, u shpreh ai ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: