TIRANË

Presidenti i vendit, Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, pas vendimit për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit u shpreh se Shqipëria në kushtet e agresivitetit të palëve politike po rrezikon të shkojë në një konflikt social.

Kreu i shtetit shtoi se vendi është në një krizë të rëndë kushtetuese, ndërsa solli në vëmendje mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë.

“ Në ushtrim të kompetencave, Presidenti me dekretin ka caktuar datën 30 qershor 2019 si ditën e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Caktimi i datës është bërë në një klimë normale, por nga ndjekja e këtij procesi rezulton se nga skadimi i afatit, partitë e opozitës nuk janë regjistruar në zgjedhje, pasi sipas tyre nuk garantohet procesi i drejtë.

Shqipëria po kalon një krizë të rëndë kushtetuese, ku më shumë se një vit Shqipëria nuk ka Gjykatë kushtetuese, por edhe Gjykata e Lartë. Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë në konflikt social. E konsideroj moment serioz për sigurinë e stabilitetin. Detyra primare e presidentit është të garantojë unitetin e popullit. Vlerësoj se organizimi i zgjedhjeve të lira demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Realizimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës është jo demokratike. Qytetarëve shqiptarë iu hiqet mundësia e zgjedhjes së alternativës më të mirë. Në 2015 forcat politike që përbëjnë sot opozitën kanë fituar 48.6 % të votave, PS dhe aleatët 43% të votave. Realizimi i zgjedhjeve pa opozitën, do e përfshinte Shqipërinë në listën e vendeve jodemokratike që bëjnë vetëm votime. Nëse në zgjedhje merr pjesë vetëm maxhoranca qytetarëve iu mohet ushtrimi kushtetues i së drejtës për të zgjedhur”-tha Meta

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: