Kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare” Erl Murati i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24  ka folur mbi zhvillimet e fundit politike në vend ku ka deklaruar se opozita është e dënuar të bashkohet kundër një mazhorance kaq të fortë sa Partia Socialiste.

Më tej Murati foli për zgjedhjet vendore, më specifikisht për bashkinë e Tiranës ku tha se kandidatë për opozitën janë mjeku Ilir Alimehmeti dhe Belind Këlliçi, ku nga të cilët ky i fundit është më i favorizuar edhe për shkak se është më pranë jetës politike.

Sakaq, ai shtoi se sa i përket protestës së lajmëruar nga opozita në 12 nëntor, tubimi  nuk do të jetë i dhunshëm pasi sipas tij Meta dhe Berisha e dinë se pushteti nuk mund të merret me të tilla mënyra dhe se kjo do të shërbejë si një nxitje për shoqërinë në përgjithësi në prag të zgjedhjeve vendore.

Gjithashtu Murati foli edhe për çështjen e hapjeve të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku deklaroi se kushdo që mendon se pasardhësit e Partisë së Punës, pra PS kërkon të hapë dosjet është “budalla”. Ai tha se është skeptik sa i takon këtij vendimi dhe se mendon se dosjet do të përdoren si mjete presioni për opozitën përpara zgjedhjeve.

“Në kushtet kur qeverisja është shumë e fortë, opozita është e dënuar për të qenë e bashkuar që të bëhet konkurruese. Interesi publik do të ketë një oponencë të fortë, Meta dhe Berisha e kuptojnë që këto ngërçet e vogla lokale nuk mund të bllokojnë qëllimin kryesor që është fitorja e zgjedhjeve. Nëse grupi i Alibeajt që unë mendoj se pas tij është Basha me faktorë të tjerë, nëse ata dalin me kandidatë më vete kjo do e dëmtojë opozitën. Këtë mund ta bëjnë të gjithë në opozitë, por kjo nuk do ndihmonte njeri në opozitë.

Besoj që i takon forumeve dhe anëtarëve të PD të vendosin se kush do jetë kandidat kundër Veliajt për Tiranën, për mua janë vetëm Alimehmeti dhe Këlliçi. Do preferoja që opozita të kishte një kandidat politik, edhe Alimehmeti është anëtar i PD, por Këlliçi mendoj se është i avantazhuar në këtë garë. E rëndësishme është të respektohet vullneti i atyre që do votojnë brenda opozitës. PD dhe opozita do kishin më shumë shanse me një emër si Këlliçi se sa Alimehmeti.

Jemi një vend që në çdo raport ndërkombëtar jemi në vendet e fundit të Ballkanit e Europës, nuk jemi me zhvillim demokratik si vendet nordike që të mos protestojmë. Ka shumë faktorë që mund të ngrenë njerëzit në protestë, besoj se protestat e opozitës do marrin mbështetje popullore. Ka rritje të çmimeve me inflacion dyshifror, analizat e Bankës Botërore raportojnë se po rritet varfëria.

Pushteti nuk rrëzohet me protesta, por para zgjedhjeve janë lëvizje politike normale. Në zgjedhjet e vitit 2011 për bashkinë, protesta e 21 janarit u bë muaj para zgjedhjeve. Është normale dhe bëhet jo vetëm për të mobilizuar mbështetësit por për t’i dhënë një shkundje shoqërisë në tërësi. Përshkallëzime nuk besoj se do ketë, do jenë paqësore. edhe Berisha dhe meta e dinë se pushteti nuk merret me protesta por vetëm me votë. Për sa kohë po hyjnë në primare, nuk mund të flasim për një opozitë destruktive që është jashtë rregullave. Nuk besoj se do ndodhë një revolucion i paparë, nuk përjashtohen lëvizjet e mosbindjes civile dhe bllokimet e rrugëve. Protestën e shoh si element plotësues, nuk duhet që opozita t’i shterojë energjitë vetëm me këtë lëvizje.

Nëse në këtë vend pas kaq viteve do hapen dosjet mendoj që Alibeaj dhe gjithë grupi i tij meriton një përmendore dhe ë këtë pikë jam skeptik që të mendosh se partia pasardhëse e partisë së Punës duhet të jesh budalla. Dyshoj se këtu ka vullnet për hapjen e dosjeve dhe besoj se bëhet fjalë për një qëndrim ligjor që rrëzon komisionet e mëparshme, por nuk besoj se do ndodhë ajo që shumë njerëz shpresojnë. Unë besoj se kjo nuk do ndodhë, nuk do hapen dosjet e atyre që kanë dhënë urdhra, besoj se kjo do përdoret si mjet presioni ndaj Ilir Metës, e shosh si lëvizje politike. Besoj se nëse do kishte vullnet për zgjidhjen e tyre do zgjidheshin, por përdoren nga mazhoranca për të mbajtur nën presion politik opozitën”, u shpreh Murati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb