Shërbimet për qytetarët dhe avokatët në gjykatat e Fierit, Vlorës dhe Lushnjes kanë pësuar një bllokim mëngjesin e sotëm, pasi sekretariati dhe e gjithë administrata gjyqësore kanë hyrë në bojkot.

Burime bëjnë me dije se proceset gjyqësore janë pezulluar për shumicën e dosjeve dhe do të zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent.

Prapaskena e këtij bojkoti lidhet me ngërçin e krijuar për pagat e muajit gusht për magjistratët, një përplasje institucionale mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit që ka bllokuar çeljen e fondeve nga Thesari, duke lënë pa pagesa edhe punonjësit e administratës mbështetëse.

Pas bllokimit të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës, reagimi i sotëm i punonjësve në Fier, Vlorë e Lushnje tregon përshkallëzimin e kësaj krize në të gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa kërkohet zgjidhje urgjente për ekzekutimin e listëpagesave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb