DURRËS- Një taksist është zhdukur pa gjurmë në qytetin e Durrësit. Dje në Komisariatin e Policisë Durrës rreth orës 21: 30 kanë bërë kallëzim familjarët e 53-vjeçarit Faik Fezgaj. Gazetarja Klodjana Haxhiaj tha se 53-vjeçari i cili gjithë jetën kishte punuar taksist dhe ishte i licencuar kishte dalë dje në punë si normalisht, shkruan BalkanWeb.

Rreth orës 18:45 kishte folur me vajzën e tij në telefon dhe i kishte thënë se po kthehej në shtëpi. Por pavarësisht se familja ka pritur gjatë ai nuk shkuar dhe madje nuk është përgjigjur më në telefon. Pas kësaj gruaja, dy vajzat dhe dhëndri i tij kanë shkuar në polici ku kanë bërë denoncimin.

Mësohet se taksisti që punonte me një automjet tip “Benz” ngjyrë blu me targa DR 443 A ka pasur me vete lekët e mbledhura nga puna e djeshme.
“Kemi bërë denoncimin dhe dy vajzat dhe gruaja janë në gjendje shumë të keqe. Kemi frikë mos e kanë rrëmbyer”, tha për BalkanWeb dhëndri i 53-vjeçarit.

Ndërkaq efektivet e Policisë Durrës po punojnë për gjetjen e tij. Çdo person, i cili ka ndonjë informacion mbi të është i lutur të kontaktojë në numrin 0694110217.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: