DURRES- Kur kanë kaluar 28 ditë nga zhdukja e dy motrave nga Durrësi, policia nuk ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e tyre. Blutë e Durrësit konfirmojnë për “BalkanWeb” se po vijojnë hetimet për gjetjen e dy vajzave, Orialda dhe Klevisa Kajtazi, përkatësisht të moshës 18 dhe 14­vjeçare, të larguara nga shtëpia e tyre rreth një muaj më parë. Pas disa ditësh kërkime, në drejtime të ndryshme, Policia thotë se po vijon ende hetimet.

Familjarët dhe të afërmit dhanë alarmin, pasi vajzat mund të kenë rënë pre e ndonjë trafikanti, mund të keqtrajtohen, apo të shfrytëzohen për prostitucion. Por policia thotë se ato janë larguar vetë nga shtëpia e tyre dhe nuk ka të dhëna se mund të jenë rrëmbyer apo shfrytëzuar nga të tjerë.
Pavarësisht dyshimeve se ato mund të kenë kaluar kufirin në mënyrë ilegale, nuk përjashtohet as pista tjetër se ato mund të kenë marrë shtëpi me qira në Durrës dhe do të rikthehen në banesë në momentin kur nuk do të kenë më të ardhura. Por Hiqmet Kajtazi, babai i dy vajzave të mitura, përpiqet të informojë policinë dhe t’u japë ndonjë indicie se ku mund të hetojnë, por, sipas tij, nuk ka pasur bashkëpunim fare mes tij dhe grupit hetimor.

Madje, Hiqmeti gjatë një prononcimi për gazetën shprehet se hetuesit tallen me fatin e tij, duke i pohuar se sa të mbarojnë lekët, do të kthehen vajzat në shtëpi vetë, sepse, sipas tyre, nuk kanë ku të shkojnë. Dy ditë pasi çështja u bë mediatike, Policia e Durrësit bëri të ditur se po heton si pistë të parë hakmarrjen ndaj prindërve të dy motrave.

Orialda e Klevisa Kajtazi, pasi vodhën më shumë se 5 milionë lekë në banesë, i vunë edhe zjarrin shtëpisë, me qëllim që të mbulonin veprimin e kryer dhe më pas u larguan duke humbur çdo kontakt me familjen e tyre. Para se të kryenin këtë veprim, ato u hodhën në gjellë prindërve dhe motrës së tyre të madhe medikamentin “Loram”, i cili të sjell gjendje përgjumjeje, e madje deri në koma nëse përdoret në dozë të lartë.

Pas zhdukjes së vajzave, babai i tyre Hiqmet Kajtazi pohoi për grupin hetimor se ata ishin helmuar edhe dy herë të tjera nga të bijat. Pas këtij veprimi vajzat ishin larguar nga banesa, por ishin kthyer pas 4­5 ditësh. Tashmë që po bëhet një muaj nga zhdukja e dy motrave, familja ka dhënë alarmin pasi kanë dyshime se dikush mund t’i ketë mashtruar nga rrjetet sociale dhe ato mund të shfrytëzohen apo mbahen peng diku. Familja Kajtazi i bën apel policisë të ndërhyjë dhe të gjejë vajzat.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: