Ndërsa po bëhen dy vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e Ridvan Lamajt në qytetin e Sarandës, familjarët e tij vazhdojnë të enden sallave të gjyqeve me shpresën se një ditë do të mundin t’i gjejnë eshtrat. Pak ditë më parë, Asqeri Lamaj, babai i 37-vjeçarit tha për “Gazeta Shqiptare” se nuk kërkon as dënimini e autorëve, thjesht të gjejë trupin e të atit.

Aktualisht, prapa hekurave ndodhet 30-vjeçari Vitor Islami, lindur në Pukë , ndërsa Adrian Ogiçi nga Saranda vijon të jetë në arrati. Të dy këta persona akuzohen për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Trafikim i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Sot, “Gazeta Shqiptare” sjell intervistën nga qelia me Vitor Islamin. I riu rrëfen me detaje që nga momenti i parë që është takuar me Ridvanin në Sarandë, e deri në momentin që rrugët e tyre janë ndarë rrugës për në Greqi. “Bashkë kemi qëndruar 3 ose 4 orë bashkë. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të takonte disa shokë të tij që i kishte afër fshatit ku u ndamë bashkë”, tregon Vitor Islami.

Vitor, ju akuzoheni për “rrëmbim personi” dhe konkretisht për rrëmbimin e Ridvan Lamajt në Sarandë. Si është e vërteta e kësaj historie? A kishe njohje me Ridvanin?
Unë kisha rreth dy muaj që isha liruar me kusht nga burgu. Në Sarandë kisha vetëm 3 ose 4 ditë që kisha shkuar, para se të ndodhte kjo ngjarje. Unë Ridvanin nuk e kam njohur më parë. Njohja ime me të është bërë vetëm ditën që pretendohet të jetë bërë rrëmbimi i tij.

Për çfarë kishit shkuar në Sarandë?
Doja të ikja në Greqi. Unë Adrian Ogiçin e kam shok. Kam njohje edhe me familjarët e tij. Kemi vite që njihemi. Çështja është se unë doja të gjeja një person që të më kalonte jashtë kufirit shqiptar që të shkoja në Greqi. Adriani më tha se njihte dikë dhe më prezantoi me Ridvanin.

Kur jeni takuar me Ridvanin?
Pasi biseduam me të, jemi takuar rreth orës 5 të pasdites. Unë kam qenë i veshur me shapka, pantallona të shkurta. Si mund ta rrëmbej një person në mes të ditës e në sy të aq shumë personave në një vend që ka shumë njerëz gjatë verës? Familjarët e tij pretendojnë se e kemi rrëmbyer ne. Si mundet të rrëmbesh një person pasi i jep dorën, e takon normal e më pas largohesh qetë-qetë me makinë? Si mund organizosh një rrëmbim të tillë? Unë nuk e njihja se kush ishte ky person dhe as familjen e tij nuk e njoh.

Ridvan Lamaj
Ridvan Lamaj

Sa kohë keni qëndruar me të dhe ku shkuat?
Kemi qëndruar rreth 3 ose 4 orë bashkë dhe kemi ikur për në fshatin e parë në Greqi. Adrian Ogiçi na ka çuar deri në afërsi të Konispolit me makinën e tij. Unë dhe Ridvani zbritëm që të iknim në këmbë, kurse Adriani iku për në shtëpi.

Deri në çfarë vendi keni udhëtuar me Ridvanin, ku jeni ndarë?
Jemi ndarë në një stacion autobusi, në një fshat në Greqi. Ka qenë rreth orës 9 ose 9 e 30 e darkës. Që nga ai moment nuk kam pasur më asnjë dijeni se ku do të shkonte Ridvani. Kur u ndamë më tha se do të shkonte të takonte disa shokë të tij që i kishte afër fshatit ku u ndamë bashkë dhe kaq.

Gjatë rrugës çfarë keni biseduar? Ju ka treguar nëse ka pasur konflikt me ndonjë person?
Kam biseduar shumë pak me të. Nuk më ka treguar diçka të tillë, sepse ne as nuk njiheshim fare. Bisedat tona kanë qenë normale. Ai pjesën më të madhe të kohës ka biseduar në telefon dhe fliste greqisht. Nuk i kam vënë shumë rëndësi muhabeteve që bënte ai.

Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në Gsh.al duke klikuar në linkun:

http://www.gsh.al/2017/03/18/zhdukja-prej-2-vitesh-e-te-riut-ne-sarande-i-dyshuari-flet-nga-qelia-si-eshte-e-verteta/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb