Deputeti demokrat Dashnor Sula, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me zhvendosjen e tregut të Belshit, i cili sipas tij është “rezultat i lobimeve nga oligarkët e Tiranës”.

Sula u shpreh se kryetari i bashkisë së Bleshit në një vendim pa u konsultuar me askënd ka zhvendosur tregtarët në një vendndodhje tjetër, rreth 4km nga qyteti.

Ai shtoi se vendndodhja e re është në disfavor të të gjithëve përveç disave, ndërsa tha se sipas asaj që banorët e zonës denoncojnë, lëvizja është kryer për interesa që vijnë nga kryeqyteti.

Sula theksoi se vitin e fundit në Blesh janë hapur disa supermarkete që vijnë nga Tirana, po ashtu filiale të pajisjeve shtëpiake që vijnë po ashtu si marka të njohura nga kryeqyteti.

Reagimi i plotë:

Zhvendosja e tregut nga Belshi, rezultat i lobimeve nga oligarket e Tiranës!

Prej tri javësh po ndjek me vëmendje shqetësimet e tregtarëve në Belsh. Prej dekadash në Belsh si në shumë vende të Shqipërisë, një herë në javë organizohet pazari. Fillimisht kjo bëhej në rrugën buzë liqenit dhe prej shumë vitesh tashmë bëhet në dalje të Belshit në drejtim të fshatit Rrasë.
Çdo të shtunë në këtë zonë vendoseshin tregtarë që vinin nga I gjithë qarku dhe fshatrat e Elbasanit për të tregëtuar, rroba, orendi shtëpiake, fruta, perime, kafshë të gjalla etj. Të gjitha të ndara në sektore të ndryshme.
Ndërkohë klientët që blinin në këtë treg janë jo vetëm banorët e Belshit por edhe të fshatrave për-rreth.
Mirëpo së fundmi me një vendim të pakonsultuar me askënd, as me banorët, as me tregtarët kryetari i bashkisë ka vendosur të transferojë tregun në një vendodhje tjetër. Vendi i ri është rreth 4 kilometra nga Belshi, në mes të asgjëje. Larg qëndrës së Belshit dhe larg stacioneve të transportit publik.
Vendndodhja e re është në disfavor të gjithëve përveç disave. Pasi jam interesuar me banorët e zonës dhe tregtarët më thonë se dyshojnë se lobimi për zhvendosjen e tregut është bërë për interesa që vijnë nga Tirana. Vitin e fundit në Belsh janë hapur disa Supermarkete që vijnë nga Tirana, po ashtu filiale të pajisjeve shtëpiake që vijnë po ashtu si marka të njohura nga Tirana. Dhe sipas dëshmive nga tregtarët dhe banorët e zonës, të vetmit që përfitojnë nga zhvendosja e tregut janë vetëm ata.
Në këto kushte, kryetari I bashkisë së Belshit duhet të pezullojë vendimin dhe para se të marrë një hap të tillë të konsultohet me qytetarët, me grupet e interesit dhe më pas të marrë vendim. Kryetari I Bashkisë është zgjedhur nga banorët e zonës aty dhe jo nga biznesmenët e Tiranës, ndaj edhe vendimet duhet ti shërbejnë qytetarëve aty dhe jo interesave të dyshimta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb