Një vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të fshatit Rrajcë Skënderbej të Bashkisë Përrenjas. Përhapja e vatrës së zjarrit ka marrë përmasa shqetësuese në një kohë të shkurtër, pasi era dhe i nxehti favorizojnë përhapjen e flakëve.

Drejt vatrës së zjarrit janë nisur banorë të zonës dhe të gjithë efektivët e repartit zjarrfikës të Bashkisë. Në dispozicion të transportit të tyre janë vënë disa fuoristrada, pasi ndërhyrja me automjete të shërbimit zjarrfikës për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur.

Ndërkaq, punonjësit kanë marrë me vete edhe një depozite me kapacitet prej 500 litra ujë për ta përdorur për të mbushur pompat e shpinës që përdorin në rastet kur terreni është i vështirë.

Ndërkohë, deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Përrenjasit, Nure Belba, u kanë kërkuar banorëve të zonës dhe punonjësve të shërbimit zjarrfikës të mobilizohen maksimalisht për ta izoluar në kohë rekord këtë vatër zjarri të shfaqur në një prej masiveve pyjore më të rëndësishëm të rrethit të Librazhdit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb