Në emisionin ‘Open’ në News24 gazetarja Klodiana Lala dhe ish-kreu i emergjencave Shemsi Prençi, folën për situatën në Ishullin e Sazanit i cili prej ditësh ishte përfshirë nga flakët.

Gjatë bisedës në studio, gazetarja Lala tha se shteti shqiptar duket se është i paaftë për të ndërhyrë në situata të tilla, ndërsa fikja e zjarrin në Sazan u bë me ndërhyrjen e helikopterit të ardhur nga Greqia.

Nga ana e tij Shemsi Prençi tha se ka pasur një mungesë koordinimi nga Forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit e bashkisë së Vlorës.

Po ashtu theksoi se tri ditët e para asnjë strukturë shtetërore nuk ka shkuar për të ndërhyrë dhe se sipas tij zyrtarët e lartë merren me justifikime dhe nuk pranojnë realitetin.

“Është dashur ndërhyrja e helikopterit nga Greqia. Për fat të mirë ndryshe nga vendet e tjera Sazani është i pabanuar, por duhet të kemi parasysh që dikur ka pasur bazë ushtarake dhe kjo mbetej një rrezik. Ministria e Mbrojtjes nuk kishte mundësi të ndërhynte nga ajri. Flota që u ble vite më parë në Francë, që në momentet e para që ata helikopterë erdhën në Shqipëria u diskutuan për çmimin e lartë që u blenë…  Është neutralizuar deri diku zjarri në Sazan, por duhet të dimë se vera sapo ka trokitur dhe shteti shqiptar nuk është i aftë për të ndërhyrë dhe për të parandaluar situata të tilla.  Fqinjët mund të gjenden në një situatë të ngjashme pasi vera ka trokitur, dhe mund të ndodhen në pamundësi për të na ndihmuar. Ne nuk jemi të qartë nga hetimet nëse zjarrvënia është e qëllimtë, apo ka diçka përtej kësaj. Mund të jetë nesër Sazani një ishull që mund të popullohet dhe të ngrihen gradaçela. Duhet të dimë çfarë fshihet pas këtij zjarri, është thjesht aksidental, apo ka diçka tjetër”, tha gazetarja Lala.

Shemsi Prençi: Situata është drejt përmirësimit më ndërhyrjen nga ajri nga avioni i shtetit grek. Ministria e Mbrojtjes kur shkoi dje u përball me tre zjarrfikës që kishin shkuar më parë dhe i pretenduan si piromane. Pra koordinimi ishte zero. Detyra e Ministrisë së Mbrojtje është fikja e zjarrit. Së pari agjencia Kombëtare  e Mbrojtjes Civile ende nuk ka dërguar në prefektura dhe bashki planin operacional për menaxhimin e fatkeqësive natyrore gjatë verës. Pra kur njëra palë shkon veçmas dhe kur Forcat e Ushtrisë pandehin si zjarrvënës zjarrfikësit e bashkisë Vlorë, tregon se nuk ka aspak koordinim. Nuk është vlerësuar dhe sot është dita e 5 e zjarrit. Tre ditët e para asnjë strukturë shtetërore nuk ka shkuar për të ndërhyrë. Zyrtarët e lartë të shtetit merren me justifikime dhe nuk pranojnë realitetin. Zjarri ka dy metoda efikase për tu luftuar nga ajri, së pari duhet garantuar perimetri me ujë dhe shkumë që të izolohet vatra dhe pas kësaj duhet të kemi goditje të kryqëzuara me qëllim që zjarri të copëtohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb