Edhe pse kanë kaluar rreth 19 orë nga rënia e zjarrit në spitalin COVID në Tetovë, ende nuk ka konfirmime zyrtare për identitetet e 14 viktimave të shënuar.

Gazetarja Lorena Kodra, raportoi për “BalkanWeb” e “News 24”, se mes viktimave ka qenë dhe një mjek, i cili ishte i shtruar në spital e nuk ishte në krye të detyrës. Ndërkohë gazetarja theksoi se pritet që të bëhen analizat e ADN për të bërë të mundur identifikimin e plotë të viktimave.

“Ngjarja nuk ka ende asgjë zyrtare për identifikimin e personave. Kemi mësuar që mes viktimave ka dhe mosha të reja. Mësohet se mes tyre ishte dhe një 29-vjeçare që ndodhej atje për t’u kujdesur për të ëmën që vuante nga COVID. Është konfirmuar dhe një mjek mes viktimave, që ka qenë pacient me COVID, jo mjek në detyrë. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 19 orë nuk ka zhvillime për identifikimin e personave.

Edhe pse ndërhyrja e mjekëve ka qenë e menjëhershme, nuk kanë mundur të shpëtojnë personat që mbetën brenda. Spitali është i përshtatur si COVID, nuk është ndërtesë e mirëfilltë. Zjarri thuhet se është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi apo oksigjenit”, tha gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb