Pasi një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në lagjen Sake të Malit të Shëngjinit mbrëmjen e së premtes, këtë mëngjes situata po shkon drejt normalizimit.
Forcat Zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës, për të izoluar flakët që po përparonin me shpejtësi, për shkak të erës së fortë që karakterizon zonën. Mëngjesin e sotëm kanë mbetur aktive vetëm disa vatra të vogla, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri për shkak të terrenit të vështirë malor.
Ndonëse zjarri mori përmasa të mëdha nuk pati rrezik për banesat, kurse forcat e policisë ndaluan hyrjen e qytetarëve drejt zonës së rrezikut. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit në këtë zonë turistike, ku dhe fluksi i vizitorëve këtë fillim korriku paraqitet i lartë.
