Mbrëmjen e djeshme, Sarajet e Toptanëve janë përfshirë nga flakët.

Gazetarja Doriana Bezat, në një raportim për “News 24”, tregoi se vatrat e para janë regjistruar në katin e parë të godinës. Por duke qenë se strukturat e brendshme janë me bazë druri, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke u ngjitur deri në katin e dytë.

Zjarrfikëset, janë paraqitur me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur neutralizimin dhe izolimin e flakëve. Por pas ikjes së tyre, një vatër tjetër është riaktivizuar, kësaj here, nga kati i dytë i godinës që është monument kulture. Është dashur ndërhyrja e banorëve të zonës dhe kalimtarëve të rastit, që me mjete rrethanore e kanë shuar zjarrin.

Sipas gazetares, paraprakisht dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Por godina nuk ka kamera sigurie, e tanimë, autoritetet po punojnë për sekuestrimin e kamerave të bizneseve të zonës, për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit/ve.

“Ndodhem përpara Sarajeve të Toptaneve, një monument kulture e radhë. Megjithatë, nuk u mbrojt dot nga flakët që e përfshinë dy herë gjatë mbrëmjes së djeshme. Tashmë gjithçka është neutralizuar, por dëmet materiale janë të shumta. Ndërkohë dyert dhe dritaret janë të hapura për ajrosje. Ndahen jashtë godinës të stacionuar punonjës të policisë dhe punonjës të bashkisë së Tiranës. Nga informacionet e marra, konfirmohet që flakët kanë rënë fillimisht rreth orës 11 të aktivizuar në katin e parë të ndërtesës. Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe dhe janë përhapur dhe në katin e dytë.

Zjarrfikësit kanë mbërritur shpejt dhe kanë shuar flakët. Por, pas 30 minutash është riaktivizuar një vatër tjetër në katin e dytë. Por kanë ndërhyrë qytetarët me mjete rrethanore për ta shuar.

Të dhënat paraprake flasin për një zjarrvënie të qëllimshme, e kjo përbën vepër penale ndaj dhe punonjësit ndodhen jashtë godinës, që të mos prishen provat materiale. E vështirë do të jetë dhe identifikimi i autorit, sepse këtu s’ka kamera sigurie dhe do të ndihmojnë kamerat e bizneseve për të identifikuar autorët e kësaj zjarrvënie të qëllimshme të këtij objekti që daton që në vitin 1833”, u shpreh gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb