TIRANE- Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka përgënjeshtruar deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha sa i takon njërit prej negociatorëve për negociatat me Greqinë. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News 24”, Koçi tha se kjo deklaratë e Berishës është një presion i madh dhe i hapur ndaj Presidentit të Republikës, për të ngurruar në firmosjen e plotfuqishmërisë për grupin negociator, gjë që i hap rrugë fillimit zyrtar të negociatave me Greqinë.

“Kjo është një deklaratë jo serioze, por është serioze sa i takon interesit dhe prapavijës politike. Kjo deklaratë është një presion i madh dhe i hapur ndaj Presidentit të Republikës, për të ngurruar në firmosjen e plotfuqishmërisë për grupin negociator, gjë që i hap rrugë fillimit zyrtar të negociatave me Greqinë. Tashmë reagon PD dhe Berisha, si një fajtor i kapur në flagrancë, pasi nëse ka një njeri që mban përgjegjësi për ketë proces është ai, sa i takon marrëveshjes së vitit 2009.

Problemi tjetër është se Berishës dhe PD nuk i intereson të arrihet një marrëveshje e re, pasi kjo do vërtetonte se marrëveshja e mëparshme ka cënuar interesat tona kombëtare”, u shpreh zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb