Zyrtarët lokalë në Ukrainën lindore kanë deklaruar se Moska po përqëndron fuqinë e saj ushtarake pranë këtij rajoni, më konkretisht në Luhansk duke rritur frikën se Kremlini po përgatitet për një ofensivë të rëndësishme në javët në vijim.

Forcat e presidentit Putin po largojnë vendasit që jetojnë pranë vijës së frontit, në mënyrë që të mos japin informacion në lidhje me vendosjen e trupave ruse, tha Guvernatori i Luhanskut, Serhii Haidai.

“Ka një transferim aktiv të trupave ruse në rajon dhe ata po përgatisin diçka në frontin lindor për në muajin shkurt,” tha ai.

Analistët ushtarakë parashikojnë një shtytje të re së shpejti nga forcat e Moskës. Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA tha se “një ofensivë e afërt ruse në muajt e ardhshëm është mënyra më e mundshme e veprimit”.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës gjithashtu raportoi sot se Rusia po përqendron përpjekjet e saj në provincën fqinje Donetsk, veçanërisht në përpjekjen e saj për të kapur qytetin kyç të Bakhmut.

Donetsk dhe Luhansk përbëjnë Donbasin, një zonë e çmuar industriale në kufi me Rusinë që Presidenti Vladimir Putin e identifikoi si një objektiv që në fillim të luftës së nisur shkurtin e vitit të kaluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: