SHKUP-I dërguari special i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Christian Hellbach pas takimit që realizoi me liderët e partive politike shqiptare, ka deklaruar se nuk sheh asgjë shqetësuese në Platformën e përbashkët shqiptare. Ai madje është shprehur i bindur se Ivanov duhet t’i jep mandatin shumicës parlamentare, që me këtë t’i hap rrugë formimit të qeverisë së re.

“Jemi të bindur se Ivanov duhet t’i lejoj shumicës parlamentare që sa më shpejtë në Kuvend të formoj qeverinë e re. Është shumë e rëndësishme që Specialja te vazhdoj me punën e saj në bashkëpunim me institucionet tjera. Partitë politike të kenë kujdes dhe mos të përdorin gjuhën e urrejtjes, tensionet duhet të ulen”, theksoi diplomati gjerman.

Ndërsa edhe kreu i BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), Ali Ahmeti pas takimit deklaroi se janë spekulime zërat se do të tërhiqemi nga Platforma e përbashkët. “Diskutuam me për situatën politike, gjermania është e interesuar për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë”, theksoi Ahmeti.

Sipas ambasadës gjermane, temë diskutimi gjatë agjendës së Hellbach ishte edhe zgjidhja e krizës politike, reformat dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike. Zyrtari gjerman u takua edhe me ministrin e jashtëm, Nikola Popovski.

“Sfidat e brendshme të Unionit, kriza e migrantëve dhe kërcënimet nga ekstremistët janë përkujtues i mirë për atë sa jemi të lidhur me BE-në”, theksoi Poposki. Sipas tij, në takim është riafirmuar përkrahja nga Gjermania për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit evropian.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb