Deputeti i Partisë demokratike denoncon rritjen e cmimit për librat shkollor për vitin 2018-2019. Përmes një postimi në facebook, me titull ‘ Shteti i shtrenjtimit të arsimit’ deputeti demokrat Luciano Boci shkruan se kërkesës së vazhdueshme të PD, të paraqitur dhe si nismë ligjore për libra falas për të gjithë nxënësit e arsimit parauniveristar, por që u rrëzua me votat e mazhorancës, qeveria i është kundërpërgjigjur, siç di ajo gjithmonë, me harbutëri, paaftësi e papërgjegjshmëri.

‘Përkundër domosdoshmërisë e dëshirës së nxënësve e familjeve të tyre, Rama e Nikolla kanë rritur çmimet për paketat e teksteve, në të gjithë sistemin që nga klasa e pestë e deri në klasat e mesme.
E kjo ndodh në një kohë,kur shpenzimet për arsimim, për çdo familje shqiptare, janë rritur në tërësi,
kur varfëria është shtruar këmbëkryq,kur besimi tek sistemi arsimor është në pikën e tij më të ulët.’ -shkruan Boci ndërsa shton se edhe për klasat e para deri tek të katërtat, ai “falasi” i teksteve, është tamam-tamam i dhënë si cingunët, “me shpinën e dorës”.

“Nxënësit e vegjël penalizohen nëse i zhgarravisin, nëse i shënojnë, nëse i grisin, sepse ata duhet t’i dorëzojnë. Për fëmijët sipas qeverisë, kujtimet e fëmijërisë të lidhura me abetaren, me shkrimin e parë, me vizatimet e para, me gjithçka që formëson botën e fëmijës, duhet të zhduken.Shtatori me sa duket nis me halle të shtuara për çdo familje shqiptare, por dhe me shpresën se fundi i paturpësisë së kësaj qeverisje nis po në shtator.” –përfundon Boci postimin e tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb