Ka shkuar në mënyrën më të keqe rikthimi i Tiranës në Superligë. Skuadra e drejtuar nga Ze Maria është mundur në ndeshjen e parë para mijëra spektatorëve 0-1 nga Kamza.

Një sfidë e interpretuar mirë nga vendasit, por atëherë kur nuk pritej Kamza i ka ndëshkuar. Golin me vlerë 3 pikët e realizoi Sebino plaku në minutën e 90-t, duke bërë që të shpërthejë festa tek miqtë.

5 minutat shtesë nuk mjaftuan për Tiranën për t’i ndryshuar rrjedhë takimit. Një humbje që ‘djeg’ shumë, aq më tëpër kur edhe tifozët kishin mbushur shakallët e stadiumit “Selman Stërmasi.

Nga ana tjetër një 3 pikësh me shumë vlera për Kamzën, e cila nën drejtimin e Bledar Devollit i bën një nisje perfekte kampionatit.

Tirana 0-1 Kamza

MINUTË PAS MINUTE

90’+5′ Mbyllet ndeshja me fitoren e papritur të Kamzës në kryeqytet.

90′ Jepen 5 minuta shtesë.

90′ GOOOL Kamza, shënon Plaku. Aksion i insistuar i kamzalinjve me sulmuesin që ka devijimin e fundit pas tentativave të Mehmetit dhe Rezit.

82′ Karton i verdhë për Avdylin për vonesa në fillimin e lojës. ka shishe në fushë të hedhura nga tifozët e Tiranës që shënjestrojnë gjyqtarin.

80′ Kryen zëvendësimin e fundit edhe Ze Maria, në fushë Kërçiku në vend të Dokës.

79′ Harkim nga e djathta, Hasani devijon me kokë por sfera përfundon jashtë pasi kalon pasqyrën e portës.

77′ Një goditje dënimi ballore pranë zonës mjaft interesante për Tiranën. Karabeci provon të gjuajë direkt në portë, por sfera kalon mbi kuadrat.

71′ Tjetër goditje dënimi dhe tjetër rrezik për portën e Kamzës. Topi i harkuar në zonë devijohet nga Turtulli që i heq kohën për të goditur Atingah, Avdyli largon me vështirësi sferën.

66′ Sentamu shfaqet rrezikshëm në krahun e majtë duke gjuajtur në kuadrat por Avdyli grushton në goditje nga këndi.

64′ Zëvendësim i detyruar për Kamzën, në fushë Bonani në vend të Teqjes i cili kishte probleme fizike.

60′ Ze Maria freskon sulmin nga krahët, me Hasanin dhe Blazhevskin që hyn në lojë në vend të Grecës dhe Kobina.


55′
Karabeci rrezikon shumë pas një polemike me Arrabal. Kapiteni i Tiranës i vë dorën në fytyrë mesfushorit kundërshtar dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

52′ Pas një aksioni nga e djathta të Dajës, topi përfundon te Maveje i cili provon nga jashtë zonës me një goditje e cila devijohet dhe përfundon qetësisht në duart e Avdylit.

50′ Përsëri shumë pak hapësira për të rrezikuar për të dy skuadrat, deri tani ekipet kanë krijuar pak raste për shënim në aksion.

46′ Fillon pjesa e dytë me zëvendësim te Kamza, Zisi i lë vendin Mehmetit.

46′ Nis pjesa e dytë

45’+1′ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45’+1′ Rast i shkëlqyer për Tiranën, pas një harkimi nga e djathta të Karabecit. Kobuina gjuan nga jashtë zonës, Turtulli devijon para Avdylit por shtylla i mohon bardhebluve gëzimin e golit.

45′ Jepet 1 minutë shtesë.

41′ Aksion i shpejtë i Tiranës nga krahu i majtë, Karabeci harkon në zonë me shpejtësi në shtyllën e parë, por Avdyli është i vëmendshëm dhe pret në pozicion.

38′ Zisi nga krahu i majtë provon një gjuajtje me harkim nga distanca, por topi përfundon jashtë katërkëndorit, në të majtë të Abibit.

35′ Tjetër goditje dënimi nga e djathta, topi shkon drejt portës, por Avdyli reagon mirë duke larguar rrezikun.

33′ Sentamu mundohet të shpërthejë në krahun e djathtë, por prapavija e Kamzës është e vëmendshme dhe nuk i lë hapësira sulmuesit të rrezikshëm nga Uganda.

26′ Mundësia e parë për shënim e Tiranës. Topi harkohet në zonë me një goditje dënimi nga e djathta, Turtulli me kokë ul sferën për Atingah, por Avdyli devijon sferën para mbrojtësit duke evituar rrezikun dhe shpëtuar portën e tij.

24′ Roloviç provon me një gjuajtje nga distanca, Abibi pret në pozicion.

19′ Topi i gjatë nga prapavija për Sebino Plakun, Abibi del nga zona dhe largon topin duke evituar problemet në katërkëndorin e tij.

13′ Goditje dënimi nga e majta për Kamzën. Topi në zonë, por Abibi del dhe largon rrezikun.

6′ Maveje sheh hapësirë para tij dhe arrin të gjuajë nga rreth 20 metra, por topi kalon shumë lart mbi traversë.

3′ Qarkullim i gjatë i topit nga të dy skuadrat, por nuk ka raste për t’u shënuar.

1′ Fillon ndeshja me shkelmimin nga qendra të Kamzës.

Formacionet zyrtare

Tirana: Abibi, Hoxhallari, Turtulli, Atingah, Doka, Daja, Karabeci, Maëejje, Greca, Cobbina, Yunus

Trajner: Ze Maria

Kamza: Avdyli, Frashëri, Teqja, Beqiri, Idrizaj, Arrabal, Malaj, Mumajesi, Zisi, Plaku, Roloviç.

Trajner: Bledar Devolli

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb