TIRANË- Pjetër Arbnori, figura e urtë e politikës ose ndryshe “Mandela shqiptar” edhe pas vdekjes ka mbledhur të majtë e të djathtë të paqtuar. Në ceremoni ka qenë familja Arbnori, bashkëshortja Suzana, fëmijët Justina dhe Filipi.

Por ceremonia për përurimin e bustit për ish-kryetarin demokrat të Kuvendit që do të vendoset në sheshin para sallës së seancave plenare, ka mbledhur figura të shumta politike të majta e të djathta.

Të pranishëm kanë qenë presidenti Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Jozefina Topalli, Sali Berisha, Lulzim Basha, Besnik Mustafaj, Erion Veliaj, Genc Ruli, si dhe deputetë e përfaqësues të tjerë të forcave politike. I vetmi që mungonte ka qenë kryeministri Edi Rama.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, nën kujdesin e të cilit është organizuar ceremonia tha para të pranishëve në fjalën e tij se Pjetër Arbnori mbeti njeri i dashur për njerëzit.

Pas tij, ish-ministri dhe publicisti Besnik Mustafaj ka mbajtur një fjalim ku ka vlerësuar figurën e Arbnorit. Por Mustafaj i ka kujtuar Ruçit se po të ishte sërish në parlament Pjetër Arbnori do ishte sërish kundërshtar i tij.

“Ne kemi njohur Pjetër Arbnorin e kohës së lirisë, një burrë i pjekur dhe i ditur. I aftë për t’i treguar vendin të vetit dhe kundërshtarit politik. Ne kimi parë se fuqia e jashtëzakonshme e karakterit të tij, durimi dhe burrëria e tij buronin nga bindja se Shqipëria bëhet dhe atë do e bëjnë shqiptarët.
Pjetër Arbnori kishte të drejtë t’i thoshte të tjerëve dhe vetes se po jetonte ëndrrën personale. Kjo është ditë për reflektime. Po të ishte sërish në sallë, kam bindjen se do ishte sërish kundërshtar i Gramoz Ruçit”, tha Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb