NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Qeveria shqiptare nuk ka një draft, madje ministri i Financave nuk do t’i kërkojnë qeverisë që të miratojë faljen e detyrimeve për bizneset dhe automjetet derisa të marrë miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Politika fiskale nuk do të ndryshojë as në planifikimin afatshkurtër dhe as në atë afatmesëm, çka do të thotë se nuk do të ketë rritje taksash apo vendosje taksash të reja. Të dhënat u bënë të ditura nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një dalje për mediat ku bëri një analizë të performancës së ekonomisë dhe financave në 8-mujorin e vitit.

“Është brenda kuadrit që ju e quajtët ‘amnisti’, unë s’e quaj amnisti dhe nuk do t’i sugjeroj asgjë qeverisë për vendimmarrje deri kur të kem qartësi me FMN-në, e cila është e domosdoshme jo për shkak të marrëveshjes, por është institucioni nr. 1 që mund të na këshillojë shëndetshëm në favor të tregut, dhe këtë e them me kënaqësi dhe me bindje”, – tha Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se nuk do të ketë rritje taksash, duke hedhur poshtë ekzistencën e një drafti për vendosjen e taksës së pasurisë. Ndërsa premtoi edhe një herë se do të ketë lajme të mira për pagat dhe pensionet.

“FMN-ja rekomandon lloj-lloj taksash, na ka rekomanduar në 20 vite, që në ’93-shin që është bërë pjesë e pandashme e zhvillimeve ekonomike shqiptare… Kur të vijë si rekomandim, do ta shohim, por nuk ka asnjë në planifikimin afatshkurtër dhe afatmesëm. Çfarë do bëjmë me taksat, çfarë do bëjmë me pagat, pensionet? Lajmet janë vetëm të mira! Fatmirësisht terreni politik e lejon mazhorancën që të vazhdojë me reformat, me përmirësimin dhe rritjen e të gjitha instrumenteve që rrisin konsumin. Me lajme të mira shumë shpejt!” – tha ministri Ahmetaj.

ANALIZA
Rritja ekonomike e tremujorit të parë 2016 është më e madhja në 5 vite, duke arritur në 2.96%. Totali i të ardhurave në 8-mujor është rritur me 7%. Mesatarja e rritjes së 8-mujorit të tri viteve të fundit 2014- 2016 është 8.2%, ndërsa mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tri vitet 2011-2013, ishte vetëm 0.7%, pra është një statistikë e drejtpërdrejtë për të parë se sa ndikim ka efektiviteti i mbledhjes së të ardhurave. “Të ardhurat nga tatime, dogana dhe sigurime, që janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë (sepse në slide-n e mëparshëm ishin edhe të ardhurat nga pushteti vendor), kemi mbledhur 19.4 mld më shumë, rritja në 8-mujor është 9.1%, pra, me rreth 190 mln USD më shumë se 8-mujori 2015. Mesatarja e rritjes së të ardhurave në 8-mujor në vitet 2014-2016 është 8.5%; mesatarja e rritjes së 8-mujorit në tri vite 2011-2013 ishte vetëm 0.9%”, – tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është duke bërë një analizë të detajuar, importues më importues dhe prodhues më prodhues, për të parë se cila është arsyeja, por po t’i shohim të gjitha produktet me radhë, cigaret kanë një rritje gati 19%, pijet alkoolike 35.8%, vera 14%, pijet energjike 13%, kafeja është pothuajse në të njëjtin nivel, karburantet rritje 3.2%. Pra, përveç birrës, janë të gjitha me rritje”. Sipas tij, kredia është çështje e debatueshme.

“Është statistikë shumë e rëndësishme, megjithatë, përveç kredisë për individët, pjesa tjetër është ose e njëjtë ose me rënie fare të lehtë, dhe ky është një nga problemet që kemi sot. Imagjinoni që ne po rritemi 3.4%, ndërkohë që kredia është akoma në këto nivele, kredia konsumatore është rritur me 2 shifra, dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë, por për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe korporatat, akoma është në nivele gati-gati të sheshta, pra pa ndryshim. Ndërkohë që likuiditetet në banka janë përtej asaj që edhe vetë bankat dëshirojnë. Në një slide tjetër ne i kemi zhveshur efektet e kursit të këmbimit, ato efekte që kanë ndodhur midis euros dhe lekut, dhe sigurisht që ka një rritje të lehtë, por është një rritje e lehtë që akoma s’do duhet ta quajmë”, – tha Ahmetaj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb