Një incident i frikshëm është regjistruar në Disneyland Park, ku një vizitor 13-vjeçar ra nga atraksioni ujor “Tiana’s Bayou Adventure”, duke shkaktuar panik te vizitorët dhe ndërhyrjen e menjëhershme të stafit të parkut. Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja ndodhi të dielën, kur adoleshenti ndodhej në pjesën e pasme të vagonit dhe po i afrohej zbritjes kryesore të atraksionit, nga një lartësi prej rreth 15 metrash. Dyshohet se ai tentoi të ngrihej ose të dilte nga vendi i tij, duke humbur ekuilibrin dhe duke rënë në ujë.

Menjëherë pas incidentit, funksionimi i atraksionit u pezullua, ndërsa ekipet e emergjencës dhe punonjësit e parkut ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë të miturit. 13-vjeçari u transportua në një spital lokal për kontrolle mjekësore dhe, sipas raportimeve, u largua pak kohë më vonë pa pasur nevojë për shtrim.

Atraksioni “Tiana’s Bayou Adventure” qëndroi i mbyllur përkohësisht derisa u kryen kontrollet e sigurisë dhe u rihap të hënën, pasi u inspektua nga autoritetet përkatëse. Dëshmitarë okularë e përshkruan ngjarjen si tronditëse. Një vizitor, në një postim në Reddit, tha se pa adoleshentin të binte ndërsa vagoni i tij kalonte pranë zonës së incidentit dhe se atraksioni u ndal për rreth 10 minuta.

Autoritetet dhe drejtuesit e parkut vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar lëndime serioze.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: