Flamurtari e kthen në një shëtitje të këndshme mbrëmjen e sotme, ndërsa ka shpartalluar në gola dhe lojë Luftëtarin. Gjirokastritët që befasuan me lojën e tyre në ndeshjen kundër Partizanit, iu dorëzuan pa kushte perlave të Donjet Shkodrës, që ishte frymëzuesi i të besuarve të Gugash Maganit.

Takimi do të nis menjëherë me gol dhe do të jetë Donjet Shkodra që siluron katërkëndëshin e Mirakës në minutën e 3-të. Një e djathtë e fortë e prishtinaliut, që çdo në dëlir tifozërinë vendëse. Flamurtari nuk e heq këmbën nga gazi dhe në minutën e 9-të gjen dyfishimin me Tomislav Bushiçin, që përfiton nga hutimi i qendërmbrojtjes mike dhe me kokë realizon golin e dytë të ndeshjes.

Vlonjatët kontrollojnë ndeshjen dhe janë të rrezikshëm, ndërsa Luftëtari fillon të zgjohet vonë. Në të 28-ën është i riu Bregu që provon me të djathtën, por jashtë, ndërsa 5 minuta më pas vjen goli i tretë për kuqezinjtë. Fazliu do të harkojë nga e djathta dhe Miraka nuk e largon topin ashtu siç duhet, duke i dhënë mundësinë kroatit Galiç që të shënojë golin e tretë të ndeshjes.

Në minutën e 43-të Luftëtari bën një kundërsulm të rrezikshëm, por edhe njëherë Bregu gjuan jashtë. Me këtë rezultat do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të nisë më mirë për miqtë. Bluzinjtë nga Gjirokastra do t’i afrohen golit në të 50-ën, me Zogaj që sheh topin të dalë për fare pak jashtë, ndërsa Magani do të tërbohet në stol me përgjumjen e të tijve.

Janë minuta që flasin më shumë për Luftëtarin, por Donjet Shkodra edhe njëherë ua pret hovin miqve. Shkodra kombinon me Shehajn dhe ky i fundit e fton në goditje, ndërsa numri 10 i vlonjatëve lëshon një tjetër predhë, duke shënuar eurogolin e radhës.

Në të 72-ën vjen dhe goli i pestë për vendësit, kur Shehaj shënon me topin të grushtuar nga Miraka pas gjuajtjes së Radoviçit. Në minutën e 81-të Zogaj shkarkon të djathtën për golin e nderit të miqve, por jashtë kuadratit, ndërsa 2 minuta më pas është Franc Veliu që ka fatin kundër pas gjuajtjes me kokë, me topin që përplaset në traversë, shtyllë dhe vijë fatale për të dalë më pas jashtë.

Gjithsesi mbyllet me “manita” për Flamurtarin, që gjen kështu ritmin e duhur pas humbjes në javën e parë, ndërsa Luftëtari fillon të ndjejë mbi shpinë diferencën e madhe me klubet e tjera të superiores.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb