NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Sot, nuk i kujtohet se çfarë ka biseduar atë ditë vjeshte të vitit 1989. Mban mend vetëm që doli nga banesa e tij me disa partitura të shekullit XII dhe me një ndjenjë të fortë trishtimi. I ri, ende nuk e kuptonte se si kishte mundësi që një figurë kaq e rëndësishme e artit shqiptar jetonte në një dhomë të vetme, të errët e të ndarë me një perde në mes… 27 vite më pas, Florian Vlashi, violinisti shqiptar në një bisedë nga La Corufa në Spanjë rrëfen vjeshtën dhe dhjetorin e vitit 1989, kohë kur u luajt për herë të parë muzika e murgut Jan Kukuzeli. Në torrën Veneciane të Durrësit, nga ajo mbrëmje janë fiksuar edhe fotografitë me lart, nga koncerti dhe me mjeshtrat e muzikës. Në një intervistë për “GSh”, violinisti Florian Vlashi rrëfen njohjen e tij me Ramadan Sokolin dhe me Feim Ibrahimin, bashkëpunimet dhe cilësitë e tyre, përtej të qenit muzikantë në zë. Një letër dhe një amanet nga ky i fundit bashkë me partet e “Vikamës” ndjekin rrëfimin për takimin e parë me Ramadan Sokolin.

– Është shënuar përvjetori i Ramadan Sokolit. Si e keni njohur atë?
Ramadan Sokoli ka lindur me 14 qershor në shenjën e Shën Elizeut, një shenjtor që e kanë thuajse të gjithë besimet. Duket sikur ky shenjt i dha shembullin “për të ndjekur Thirrjen” e mjeshtërve të vjetër. Sakrifica e prof. Sokolit, vuajtja e tij, burgu dhe puna kolosale hulumtuese ne etnomuzikologjinë shqiptare janë vërtetë profetike. Unë njoha në fillim shkrimet e tij mbi folklorin dhe instrumentet dhe më pas, ato mbi muzikantët e vjetër shqiptare. Studimet e tij mbi Jan Kukuzelin më tërhoqën shumë. Kjo gjë bëri që një ditë vjeshte të vitit 1989 të trokisja në portën e tij. Nuk mbaj mend se çfarë kemi biseduar atë ditë, por unë dola nga ajo derë me disa partitura të shekullit XII dhe me një ndjenjë trishtimi. Nuk e kuptoja se si kish mundësi që një figurë kaq e rëndësishme e artit shqiptar jetonte në një dhomë të vetme, të errët e të ndarë me një perde në mes…

– Më pas, më 12 dhjetor 1989 u luajt pas 700 vitesh muzika e Jan Kukuzelit. Si u bë e mundur?
Pasi mora partet nga Ramadan Sokoli, i përshtata për orkestër harqesh dhe gjetëm vendin më të mirë për t´i luajtur, Torren veneciane të Durrësit. Akustika e Torres veneciane e shtoi magjinë e kësaj muzike. Orkestra e Harqeve ‘Jan Kukuzeli’ që kisha krijuar para një viti, megjithëse të rinj 17-18 vjeçare, e luajti me shumë impenjim duke i dhënë një dramatizëm të pashpjegueshëm atij zëri që vinte tek ne nga shumë larg. Nuk mund të them nëse ato muzikantë të rinj ishin apo jo të vetëdijshëm se ajo natë ishte një natë historike. Por, me siguri, e ndjenin se diçka e rëndësishme po realizohej, një porte e madhe po hapej.

– Pse mbeti në heshtje Kukuzeli për 700 vjet?
Ma merr mendja se ishin dy arsye kryesore: e para, sepse ajo muzikë quhej muzikë kishtare, gjë që nuk i interesante aspak linjës së pushtetit të kohës së diktaturës. Harronin se thuajse i gjithë arti barok, qoftë ai muzikor apo figurativ, kishin këtë thelb. Nuk mund të nxirrje jashtë kësaj fryme as ‘Pasionet e Bahut’ e as ‘Capilla Sixtinen’ të Mikelanxhelos. Si mund të lejohej muzika e murgut durrsak kur hidhej në erë kisha e Vaut të Dejës, i vetmi monument romanik në vendin tonë? Në këtë pikë, për çudi, diktaturat e majta, përkonin me ekstremizmin islamik sot. Arsyeja tjetër ishte mungesa e studiuesve të mirëfilltë në këtë fushë. Ndaj dhe ajo që bëri Ramadan Sokoli është e një rëndësie monumentale.

– Ndërkaq, veç Ramadan Sokolit, ju keni bashkëpunuar edhe me Feim Ibrahimin. Si ishte të punoje me të?
Unë isha tek Formacioni i Harqeve i ILA-s që drejtonte Ibrahim Madhi kur bashkëpunonim me Feimin. Më pas, unë bëra një Suitë për violinë e piano nga baleti i tij ‘Plaga e Dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Natyrisht, Suita ime ishte thjesht “4 gërvishtje” violinistike në krahasim me “10 plagët” dramatike për balet e orkestër të Ibrahimit. Megjithatë, kjo gjë na afroi mjaft dhe Feimi më mbështeti shumë në repertorin e koncerteve të mia, me vepra si koncerti i Prokofievit, Sonata e Bartok-ut apo autorë të tjerë të shekullit XX, që në atë kohë ishin të ndaluara. Sot kjo gjë tingëllon kaq absurde. Kur unë u vendosa në Spanjë, Feimi më dërgon partiturën e Trios së tij “Vikamë” bashkë me një letër të gjatë. Më ngeli peng që nuk munda ta luaj trion e tij kur ai ishte gjallë. Letra e tij është e shkruar me dy ngjyra stilolapsi – njeri, që i mbaron boja pak nga pak dhe tjetri që fillon me tjetër ton. Tani më duket si një letër e shkruar “këndej” dhe “andej”… Për çudi, ajo letër me dilte përherë përpara; në mes partiturave, në tavolinën e punës, në lexhio, tek disqet, sikur një dorë e fshehtë më kujtonte amanetin. Më në fund Trion e luajta në Spanjë në Festivalin e Pontevedres. “Vikama” është një muzikë tejet interesante dhe dramatike që të kujton “Ulërimën” e Eduard Munch. Vitin që vjen bëhen 20 vjet nga largimi i tij. Uroj me gjithë zemër të bëhet diçka e madhe në kujtim të tij: një cikël koncertesh, botimi i veprës së plotë, mbështetja e fondacionit që mban emrin e tij, etj. Sepse sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet borxhi që i kanë muzikantët shqiptar këtij njeriu.

– Koncerti i 1989 ka kujtime të pashlyeshme. Ju ç’keni mësuar prej tij?
Shumë herë mësimet nga një ngjarje nxirren me kalimin e viteve. Siç duket, përmasat e vërteta duken të qarta vetëm kur e shikon ngjarjen nga larg, në distancë dhe jo nga afër. Në fotografinë nga ajo natë që unë vura në faqen time në “Facebook”, shkruajta shënimin “Jan Kukuzeli, Ramadan Sokoli, Feim Ibrahimi – i pari erdhi nga aq larg, i dyti hyri aq thellë, i treti kaloi përtej caqeve duke krijuar kështu, në një përmasë gjigante, Trekëndëshin e artë të Muzikës shqiptare”. Në fakt, nga “Psalmet” e Kukuzelit e deri tek muzika elektro-akustike “De Profundis” të Ibrahimit, mund të futet thuajse e gjithë krijimtaria muzikore e jona. Unë atëherë nuk e dija, por tani e shikoj veten fatlum në mes të këtij trekëndëshi si “formula e pagëzimit”.

– A pati probleme për muzikën e Kukuzelit, meqë ai ishte murg?
Atë ditë që unë isha në shtëpinë e Ramadan Sokolit, mu krijua përshtypja se ai kish një lloj dyshimi. Fliste pak, më shumë pauza dhe më shikonte sikur mendonte “Sa djalë naiv qenka i shkreti… Nuk e din se ku po hyn, se ç’njerëz ka përreth… Zoti e ruajt!” Kjo përshtypje mu forcua më shumë kur lexova më pas intervistën e tij në shtypin e kohës kur tha “nuk prisja të dilte kaq bukur ky koncert, ku Kukuzeli të tingëllonte shqip, në sajë të guximit të një djali të ri…”. Ndërsa pas një viti, kur ne luajtëm edhe muzikën e Niket Dardanit (shekulli IV) do të uronte artistët durrsakë në shtyp për guximin dhe vlerat, që sollën me “ringjalljen” e kësaj muzike “pa pasur frikë nga paragjykimet dhe injorantët”. Ndjehej në ajër nga të gjitha anët se po vinin kohë të reja. Pak muaj më pas, më 3 korrik 1990, një makinë e drejtuar nga një djalë i ri me emrin Ylli Bodinaku, çan murin e ambasadës gjermane në rrugën “Skënderbej”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: