NGA: SHABAN MURATI
Edhe në bursën diplomatike sasia e tepërt e mallit në qarkullim ul vlerën e tij. Kjo po u ndodh, dhe do t’u ndodhë akoma më shumë në të ardhmen, nismave diplomatike greke, të cilat kanë krijuar një bum artificial në diplomacinë greke, sidomos pas ardhjes në fuqi të qeverisë së Ciprasit dhe të Kociasit. Në datat 8-9 shtator në Rodos të Greqisë u mbajt Konferenca e Sigurisë dhe e Stabilitetit, një nismë diplomatike e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias, me pjesëmarrjen e disa shteteve europiane dhe disa shteteve arabe. Në 21-22 prill të këtij viti u zhvillua në Selanik mbledhja katërpalëshe e ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, si nismë diplomatike e ministrit të Jashtëm grek. Ndërkaq po punohet nga diplomacia greke për nismën tjetër të Kociasit, për krijimin bashkë me Rusinë të një mekanizmi të bashkëpunimit të posaçëm të shteteve ortodokse dhe të kishave ortodokse, në kuadër të diplomacisë kishtare apo ekleziastike, të cilën ministri i Jashtëm grek e ka shpallur zyrtarisht si komponent të politikës së jashtme greke.

Në analizën e këtyre nismave të njëpasnjëshme diplomatike greke, qysh në vështrimin e parë të bie në sy karakteri i tyre i gjymtuar, i cili rrjedh si nga shpejtësia e ndërmarrjes së nismave, ashtu edhe nga mungesa e një objektivi të qartë dhe mundësie reale për realizimin e tyre. Defekti i parë i këtyre nismave është formati i tyre i gabuar, i cili bie ndesh me formulat dhe mandatet zyrtare gjeografike, të shpallura për këto nisma nga diplomacia greke. Nëse marrim në shqyrtim nismën diplomatike greke, që sapo organizoi konferencën në Rodos në 9 shtator, do të shohim se në të janë pjesëmarrëse Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Qipro, Italia, Egjipti, Libani, Libia, Tunizia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Objektivi i konferencës së Rodosit, sipas komunikatës së përbashkët të shpallur në fund të saj, është siguria dhe stabiliteti në Mesdheun Lindor. Nuk kuptohet se si mund të jetë e mundur të diskutohet për sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor dhe të mos ftohet as Turqia dhe as Izraeli, që janë shtete nga më të rëndësishmit dhe ndër më të fuqishmit e Mesdheut Lindor.

Nuk kuptohet se si mund të flitet për sigurinë dhe për stabilitetin në Mesdheun Lindor dhe nuk ftohet NATO, e cila ka dërguar edhe njësitë e saj ushtarako-detare në ujërat e Mesdheut Lindor për të ndihmuar Greqinë që të mos përmbytet nga vërshimet e refugjatëve sirianë. Nga e gjithë lista e pjesëmarrësve të konferencës së Rodosit, vështirë se mund të gjesh një shtet, që të jetë më i interesuar dhe të jetë më i domosdoshëm në tavolinat diplomatike për sigurinë e Mesdheut Lindor sesa Turqia dhe Izraeli. Sepse të ftosh Emiratet e Bashkuara Arabe, Tunizinë apo Bullgarinë përpara Turqisë dhe Izraelit do të thotë që këtu nuk është synimi vërtet për Mesdheun Lindor. Se sa lidhet me sigurinë në Mesdheun Lindor thellimi i kanalit të Suezit, që ishte vënë në rendin e ditës në Rodos nga diplomacia greke, kjo është pyetje e denjë për sfinksin. Nëse marrim nismën tjetër të takimeve katërpalëshe të Greqisë me tre nga shtetet e saj fqinje, do të shohim se nuk është përfshirë Turqia. Që në fillim ky format i gjymtuar krijon idenë se takimi katërpalësh nuk ka të bëjë me fqinjësinë e mirë, sepse që të realizosh një nismë të tillë diplomatike duhet ta bësh me të katër fqinjët që ka Greqia. Nga ana tjetër, preteksti zyrtar i shpallur nga Athina për organizimin e katërpalëshit me disa fqinj, është përballimi i krizës së refugjatëve.

Çdo qytetar i thjeshtë e kupton se është një boshllëk i pajustifikuar të diskutohet dhe të arrihet rezultat për çështjen e refugjatëve, pa përfshirë Turqinë, e cila është shteti kufitar me burimin e lumit të refugjatëve, Sirinë. Çdo qytetar i thjeshtë e kupton se nuk mund ta diskutojnë vetëm katër shtete ballkanike pa Turqinë çështjen e refugjatëve, në një kohë që Bashkimi Europian ka nënshkruar një marrëveshje të madhe strategjike me Turqinë për krizën e refugjatëve, duke gjykuar se Turqia është partneri kryesor për zgjidhjen e krizës së refugjatëve nga Siria. Është e qartë se formatet e gjymtuara të konferencave të nismave greke shprehin gjymtimin e vetë objektivit apo përmbajnë që në start mosrealizimin e tyre. Defekti i dytë i madh i nismave diplomatike greke ka të bëjë me detyrat që i kanë vënë vetes. Po të shohësh komunikatën e përbashkët të Konferencës së Sigurisë në Rodos të 9 shtatorit, rezulton se temat e diskutuara dhe që do të jenë objekt i bashkëpunimit të shteteve pjesëmarrëse, janë: arsimi, migrimi, refugjatët, mbrojtja e ambientit, ndryshimet klimaterike, mjedisi detar, teknologjitë e gjelbra, prodhimi i energjisë, siguria detare, thellimi i kanalit të Suezit, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi i shërbimeve sekrete etj., etj.

Nuk besoj se edhe vetë OKB-ja mund të ketë rend më të pasur çështjesh për diskutim në gjithë seancat e saj plenare prej mbi 70 vitesh. Se sa lidhen gjithë këto çështje me sigurinë dhe stabilitetin e Mesdheut Lindor dhe sa do të jetë në gjendje kjo konferencë të ndikojë për zgjidhjen e qoftë edhe të njërës nga këto tema, përgjigjen e gjen te formulimi “mision i pamundur”. Nëse shohim detyrat e katërpalëshit ballkanik të Greqisë me tre nga fqinjët e saj, zyrtarisht është thënë se janë mbledhur, dhe madje do të mblidhen rregullisht çdo gjashtë muaj, për të përballuar krizën e refugjatëve. Mirëpo ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, në mbledhjen e Selanikut u parashtroi homologëve të tij fqinjësorë një platformë tjetër nga ajo zyrtare. Ai deklaroi se “ministrat ndjejnë nevojën të ndihmojnë drejt zhvillimit institucional të vendeve tona dhe të sigurojnë financimin, nevojën të zhvillojnë qeverisjen e mirë në të gjitha vendet e rajonit dhe të institucioneve të forta demokratike. Ne ramë dakord të gjithë që të gjejmë veten në një proces të rindërtimit për të përballuar problemet e mëdha të kohës sonë”. Na del një barrë të madhe globale e mandatit të katërpalëshit ballkanik, e cila nuk mund të mos krijojë skepticizëm për arritjen e këtyre objektivave ambiciozë, të shpallur nga Kociasi, sepse janë objektiv të cilat i ka Bashkimi Europian për të gjitha shtetet kandidate ose aspirante për në BE, dhe për të cilat BEja po punon prej dekadash.

Përgjigjja e pyetjes, nëse do të arrijë Greqia të bëjë atë që nuk po e bën dot BE-ja, është tepër e thjeshtë. Absurditeti i nismës diplomatike greke me tre shtetet fqinje të rajonit arrin kulmin, kur ministri i Jashtëm grek deklaron se “ne ramë dakord që duhet të mbështesim politika të njëjta dhe të përbashkëta për sa u takon Jordanisë dhe Libanit. Ne duhet të kontribuojmë për stabilitetin e Egjiptit.” Se ç’punë kanë ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm të tre shteteve fqinje ballkanike të Greqisë të merren në këtë nismë greke me Libanin, Jordaninë dhe Egjiptin, kjo përbën një enigmë mitologjike greke, të cilën as vetë ministri i Jashtëm grek nuk mund ta arsyetojë. Duke trajtuar këto nisma efemere diplomatike greke nuk mund të mos shtrohet pyetja se sa larg duhet të shkojë kortezia diplomatike e shteteve pjesëmarrëse në këto nisma të diplomacisë greke. E theksoj këtë element, sepse ministri i Jashtëm grek po i lejon vetes t’i shesë shumë ide dhe qëndrime të tij dhe të qeverisë greke sikur janë dhe qëndrime të shteteve pjesëmarrëse në këto nisma. Në fjalën para shtypit në mbyllje të konferencës së Rodosit, ministri i Jashtëm grek deklaroi se për konferencën, “parimi i parë është që ne nuk duam ndërhyrje nga palë të treta në rajon. Rajoni duhet të zhvillojë interesat e tij të brendshme”. Reagimi i parë i menjëhershëm ndaj këtij qëndrimi është se cila qenka ajo palë e tretë, që ministri i jashtëm grek e shpall se e ka të ndaluar të hyjë në Mesdhe.

Burime diplomatike shprehen se aluzioni i ministrit të Jashtëm grek u drejtohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Reagimi i dytë, që ngjall deklarata e Kociasit, është për të mësuar nëse vërtet edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse janë dakord me këtë afishim, që ministri i Jashtëm grek e shpall si të përbashkët. Unë prirem të mos besoj se Shqipëria apo Bullgaria janë dakord me këtë qëndrim të ministrit të Jashtëm prorus të Greqisë kundër “palëve të treta”. Mirëpo në diplomaci gjërat duhen bërë të qarta, si për atë që flet në emër të të tjerëve, ashtu edhe për shtetet aleate dhe për opinionin publik ndërkombëtar dhe vendas. Analiza e nismave diplomatike greke tregon se jemi përpara një spektakli diplomatik ballkanik të nismave për hir të nismave. Është një stil sovjetik i diplomacisë, pas të cilit ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias është tepër i apasionuar. Ky stil i nismave për hir të nismave i përket shkollës diplomatike sovjetike të kohës së Leonid Brezhnjevit, si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1964-1982), kur pothuajse çdo javë Moska shpallte nga një nismë diplomatike për çarmatimin. Por Bashkimit Sovjetik i shkonte, sepse ishte një nga dy superfuqitë e botës dhe donte të demonstronte peshën e tij diplomatike ndërkombëtare nëpërmjet bumit të nismave diplomatike, të cilat ishin të detyrueshme për shtetet që i përkisnin perandorisë komuniste. Por është vështirë të shpjegosh një stil diplomatik megaloman të diplomacisë greke me njërën nismë diplomatike pas tjetrës, kur Greqia është një shtet i vogël, i varfër, i mbytur në borxhe, i cili s’mund të ndikojë dhe as mund të imponojë kursin dhe synimet e veta diplomatike.

Greqia është një shtet në krizë të thellë financiare, ekonomike, politike, institucionale, administrative, një shtet i zhytur në borxhe, dhe të cilit mund t’i duhen disa dekada të djersijë fort që të paguajë kreditë mbytëse, që ka qenë i detyruar t’u marrë kredidhënësve europianë, të cilët e shpëtuan nga mbytja financiare. Siç konstaton me të drejtë studiuesi grek Thanos Dokos, kriza financiare është shpata e Damokleut mbi politikën e jashtme greke. Por këtë shpatë nuk e ka parë akoma Nikos Kocias. E thënë më thjesht, politika e jashtme greke nuk mund t’i vërë vetes dhe as mund të realizojë më dot ata objektiva rajonalë drejt Ballkanit apo drejt Mesdheut apo drejt Lindjes së Mesme, që ka pasur dhjetë vjet më parë. Në vizionin dhe në stilin komunist revolucionar të ministrit të Jashtëm dhe të qeverisë aktuale greke, dobësitë dhe fuqitë e lëna nuk shihen dhe as pranohen, dhe i caktohen diplomacisë dhe politikës së jashtme detyra dhe ambicie, përtej mundësive dhe realiteteve. Në diplomacitë majtiste aspekti propagandistik është kryesori dhe diplomacia e sotme greke në këtë kuadrat lëviz. Ajo po ndërmerr gjithë këto nisma diplomatike për të krijuar në opinionin publik grek përshtypjen se Greqia është shtet i fortë, se ajo po mbledh shtete dhe konferenca ndërkombëtare, se asaj po i dëgjohet fjala apo siç pretendon gazeta “Kathimerini”, se Greqia po vendos veten në hartën gjeopolitike.

Pa dyshim, në këtë arkitekturë fuqie iluzore ministri i Jashtëm grek kujdeset që të vendosë portretin e tij si prodhues nismash të njëpasnjëshme dhe të forcojë pozitat e tij politike dhe ideologjike. Mund të thuhet se ministri i Jashtëm grek po e drejton Ministrinë e Jashtme si një shoqatë joqeveritare, e cila e gjen veten duke organizuar vetëm panele dhe workshop-e. Në sistemin ndërkombëtar të shteteve rolin kryesor e ka fuqia e një shteti dhe jo pretendimet e hijes së mëngjesit për fuqinë, të cilat janë tipar i diplomacisë aktuale greke. Nismat e njëpasnjëshme diplomatike greke nuk dëshmojnë as forcim dhe as rritje të prestigjit të Greqisë, siç pretendon “greek.reporter” e datës 9 shtator. Ato tregojnë një inflacion të nismave diplomatike dhe një rrugë të gabuar të diplomacisë greke, e cila në vend që të bëhet e ndërgjegjshme për mundësitë e kufizuara që ka, vazhdon në rrethin virtual të një kohe të shkuar. Diplomacia greke do të bënte mirë t’i kursente arkës së shtetit gjithë ato mjete financiare, që po ua kushton nismave diplomatike të pafrytshme, duke humbur para dhe kohë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: