Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se kanë gjithnjë e më pak alternativa përveç arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa presionet ekonomike, humbjet ushtarake dhe nevojat politike po i shtyjnë të dyja palët drejt kompromisit. Kjo vlerësohet në një analizë të CNN, teksa afati i përfundimit të armëpushimit po afrohet.

Raundi i parë i bisedimeve në Islamabad, pavarësisht se zgjati për orë të gjata, shihet si një përpjekje për të forcuar pozicionin negociues të SHBA-së. Menjëherë pas tyre, Uashingtoni vendosi një bllokadë detare ndaj porteve iraniane, duke rritur presionin ndaj Iran.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse efektet e plota ekonomike kërkojnë kohë, ndikimi i pjesshëm tashmë po rëndon ekonominë iraniane dhe aleatët e saj, përfshirë Kinën, e cila varet nga eksportet e naftës iraniane.

Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump përballet me presion të brendshëm për shkak të rritjes së inflacionit dhe çmimeve të karburantit, çka e shtyn drejt një marrëveshjeje.

Pavarësisht retorikës së fortë, Irani po përballet me humbje të konsiderueshme pas javësh bombardimesh që kanë goditur mijëra objektiva. Udhëheqja e Gardës Revolucionare Islamike raportohet të ketë pësuar goditje, ndërsa mungesa në publik e Mojtaba Khamenei ka shtuar pasigurinë mbi lidershipin.

Analiza sugjeron se fuqia e Teheranit bazohet më shumë në qëndrueshmëri sesa në dominim ushtarak.

Në planin rajonal, Irani përballet me sfida të shumta, duke qenë i përfshirë në tensione me disa vende të Gjirit. Ndërkohë, Pakistani luan rol ndërmjetësues, por ruan gjithashtu marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite, duke kufizuar hapësirën e manovrimit për Teheranin.

Një nga pikat kyçe të negociatave mbetet Ngushtica e Hormuzit, ku të dyja palët duket se kanë interes për rikthimin e lundrimit normal. Po ashtu, në fokus është programi bërthamor i Iranit. Teherani ka propozuar pezullimin e pasurimit të uraniumit për pesë vite, ndërsa SHBA kërkon një marrëveshje 20-vjeçare. Diskutimet përfshijnë edhe rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar në 60%, me opsione si transferimi në Rusi apo mbikëqyrja nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Qëndrimi i Izrael mbetet faktor kyç, pasi Irani kërkon garanci për aleatët e tij, përfshirë Hezbollahun. Ndërkohë, qeveria libaneze ka nisur kontakte të rralla me Izraelin, por çështja e çarmatosjes së Hezbollahut mbetet e pazgjidhur.

Sipas analizës, pengesat kryesore për një marrëveshje lidhen më shumë me balancat politike dhe prestigjin sesa me dallimet thelbësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb