Të gjithë ish-pronarët që kanë një vendim për njohjen e pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për të përfituar kthimin ose kompensimin duhet të paraqiten pranë Agjencisë për të plotësuar formularët për pagesa të përshpejtuara, ose për t’u bërë pjesë e ankandeve të kompensimit fizik. Është në dëshirë të pronarit, plotësimi i secilit prej formularëve, por është e domosdoshme që pas plotësimit të tij, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave 10 dokumente. “Gazeta Shqiptare” publikon formularët që mund të plotësohen që sot për të përfituar nga përparësitë, që jep ligji i ri për marrë kompensimin me procedurë të përshpejtuar apo për të marrë pjesë në ankande.

Pagesat e përshpejtuara
Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vitesh. Për secilin variant në një VKM të posaçme është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti, pronari merr 20 % të vlerës së faturës; për pagesën brenda tri viteve merr 30 % dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar. Të gjitha subjektet kërkuese, të cilët shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

Kompensimi me ankand
Pronari që kërkon të jetë pjesë e ankandeve duhet të plotësojë në ATP formularin, ku përveç gjeneraliteteve dhe datës së aplikimit, duhet të cilësojë faktin se aplikon për kompensim fizik me ankand, si dhe plotësojë të gjitha kushtet e përfaqësimit, dëshmi trashëgimi ose prokurë.

Dokumentet
Dokumentacioni shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor, b) dokumentacioni hartografik, c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet sipas rastit nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/ Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së; dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore; vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14, të ligjit nr.37, datë 13.1.1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ose çdo dokument tjetër ligjor i lëshuar nga institucionet shtetërore i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes”. Ndërsa kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata si dhe aktekspertimin në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Sipas ligjit dhe VKM-së që rregullon funksionin e tij, dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku sipas rastit, mund të jetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

Pagesat e përshpejtuara

1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
2. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vitesh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
3. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vitesh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
4. Prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen financiarisht brenda 1 viti, nga kërkesat për kompensim brenda 3 apo 5 vitesh.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb