NGA: MONIKA SHOSHORI STAFA
E drejta e krijimit të shtetit kombëtar, e drejta e “bashkimit” të trojeve të ndara me dhunë, e drejta për të mbështetur vëllezërit në gjendje “okupacioni”, e drejta për të mos harruar, kultura e mosndëshkimit dhe e drejta për të njohur krimet e luftës, janë disa të drejta të shenjta që gjejnë shprehje në aktet më të rëndësishme ndërkombëtare, e të cilat kanë evoluar me kohën. Por para së gjithash, gjejnë vend në parimin e madh të vetëvendosjes, i cili është parashkruar përafërsisht edhe në Kartën e OKB-së. Ky qe fati i Kosovës së paraluftës që edhe sot ende përjeton imponimin që i bëhet nga rrethana të disfavorshme historike, nën një mjedis të diktuar politikisht ndërkombëtar me gjithë thirrjet e hapura për një treg të përbashkët rajonal. Historia është treguar zemërake me shqiptarët, por tani edhe vetë shqiptarët po dëshmojnë jo ashtu si duket mes mediave, mosdurim dhe mospëlqim ndaj krerëve të politikës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë.

Letargjia e gjatë politike i vuri në gjumë shqiptarët për më shumë se 20 vjet që prej vitit ‘90. Klasat politike në të dyja anët e kufirit i largoi nga ajo traditë që përputhej me temperamentin e tyre. Po t’i ndjekësh me vëmendje mediumet politike që sot bëjnë opinionin në rang kombëtar, duket qartë se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës nuk mendojnë më njëlloj. Madje shpeshherë të duket se tani pas më shumë se 15 vitesh që nga koha e luftës, shumë gjëra nuk i kemi më të përbashkëta. Kosova duket sikur nuk është më ndër venat tona. Dhe problemi shqiptar ka gjasa të jetë gjendur përballë një komploti të rrezikshëm, përballë komplotit të shuarjes nga iluzionet, të injorimit me ligj të çdo ndodhie të rëndë dhe të mosndëshkimit të krimit, më keq akoma përballë faktit se e kaluara duhet të harrohet. Rrëfimet e grave kosovare që prej verës së vitit 1999 që alarmuan një botë të tërë, ende sot mbeten një temë e llahtarshme ku përzihen kundërshtimi me forcë dhe tërheqja.

Transkriptimi i klithmave të alarmit dhe përgjigjet e squllëta diplomatike nxjerrin deri sot në pah një konformizëm perëndimor që të kall datën, ndërsa i pyet si gazetare se çfarë do të bëhet me këtë krim njerëzor. Konflikti i Jugosllavisë ndoshta për arsye gjeografike, nxori në pah atë që është dëgjuar ndër veshët tanë si kërkues kokëfortë i çështjes: përdhunimet sistematike përdoreshin madje edhe nën hundën e ndërkombëtarëve si armë lufte. Në këtë pjesë të Europës, të përdhunosh një grua do të thotë të fyesh rëndë burrin, sepse mbrojtësin e vriste ndërgjegjja që nuk kishte mbrojtur gjininë e dobët. “Nuk ditëm në dy vjet të fshinim shekuj të gjatë urrejtje, të pajtonim shqiptarët e Kosovës me serbët që kacavirren me thonj pas kësaj toke, por ama ishim të dobishëm”, shkruan Bernard Kushner, ish-kreu i administratës së OKB-së në Kosovë në librin e tij “Luftëtarët e Paqes”. E rëndë ta dëgjosh, po aq e dhimbshme ta analizosh. Përdhunimi i grave të Kosovës është një ndër krimet më të errëta që është kryer gjatë kohës së luftës. Krimi që torturon prej shumë vitesh gra e burra të këtij vendi. Aksionet çnjerëzore ndaj tyre u kryen në grup e në sy të fëmijëve, hera–herës edhe në sy të baballarëve, vëllezërve apo dhe burrave të tyre.

Masakrat ndaj grave kosovare në çdo qytet e fshat kanë rezultuar të jetë një nga fenomenet më misterioze të policisë paramilitare serbe, që sot ende nuk janë zbardhur plotësisht e as janë njohur e ndëshkuar nga Tribunali i Hagës, duke shuar shpresën e një rilindjeje të ndërgjegjes së këtij populli. Më keq akoma, harresën ndaj ngjarjes për të mos ua ngritur kokën kurrë viktimave dhe burrave të tyre, por dhe dëshmitarëve më të pafajshëm që u gjendën aty, fëmijëve, që sot janë brezi i ri në Kosovë. Poshtërimi i popujve është një dukuri e njohur në histori. Ai i paraprin racizmit dhe bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmëron fatin e keq të një kombi. Dhe një nga poshtërimet që iu bënë shqiptarëve të Kosovës janë përdhunimet e grave të tyre. U zgjodhën pikërisht ato, për t’u bërë kurbani i një lufte ku meshkujt u goditën në pikën e tyre më të dobët.

DËSHMITË
Një grua nga Prizreni Vitet kanë kaluar por lufta te ne ende gjurmon. Te ne kanë lënë pasoja të mëdha, te ne femrat që përjetuam gjithë atë tmerr. Për ne, lufta nuk ka përfunduar ende. Përgjatë tri ditëve dhe tri netëve të zëna rob, isha me familjet dhe me fëmijët. Prej datës 26 mars deri më datë 29 mars 1999 kanë ndodhur këto dhunime mbi mua. Erdhën e na zgjidhën, na ndanë prej burrave, na morën e na çuan n’daçnëpër shtëpi, na bënë çfarë deshën e na mbajtën të ngujuara. Na dhunuan dhe na keqtrajtuan fizikisht. Na rrahën e na thanë se ‘do t’jua marrim fëmijët e do t’ju çojmë në Serbi, nuk do t’i shihni më kurrë ata…’ por ne nuk merrnim vesh asgjë, ishte ditë apo ishte natë. Në një dhomë të errët të ngujuar…isha e zhveshur tërësisht, e djegur me cigare e me thikë te fyti. Ç’të mendoja atëherë? Vetëm vdekjen kërkoja! Vdekja ishte më e mirë se ajo çfarë unë po përjetoja atëherë. Ata ishin shumë. Dy shkonin e dy vinin, me maska të mbuluar…vinin me birra në dorë, e na hidhnin birra në kokë… Ata janë hakmarrë ndaj nesh kundrejt UÇK-së.

Policia serbe nuk ka luftuar me ushtrinë, por me gra e pleq. Ajo shpjegon se, ndërsa fëmijët ishin te dhoma ngjitur, ajo shkonte atje kur ushtarët e linin derën hapur. “I vishja, – rrëfen më tej ajo, – shkoja te fëmija kur i dëgjoja duke qarë e ata i gjeja duke bërtitur”. Në dhomë sipas saj kishte edhe gra të tjera që kërkonin ndihmë, por ata (policët) s’kishin gjuhë tjetër: n’daç hajde, n’daç po të mbysim fëmijët. Ajo ndërkaq nuk rresht së thirruri shoqet e tjera të dhunuara që të mos ngurrojnë, por të dalin e të flasin. Sipas saj, asgjë nuk i ndihmon sa vetvetja. Sa i përket shtetit, ajo është tepër e zhgënjyer kur pohon se shteti as që ka dashur të dëgjojë për këtë çështje. E reja nga Prishtina Ka qenë viti 1999. Ne ishim tu ec përgjatë një fshati kur na rrëmbyen dhe na vendosën në kolonë. Pastaj na ndanë një e nga një e na vendosën në një shtëpi. Kur ra mbrëmja, na çuan në shtëpi të tjera. Atje më ka humb vetëdija krejt. Nuk kam ndjerë asgjë. Na kanë mbajtur gjithë natën dhe na kanë kthyer sërish. Kanë qenë shumë persona. Një, na ka mbajtur të lidhura pastaj… tre, katër a pesë … ndërsa gjithçka ka ndodhur. E kujtoj atë natë sa herë gjumi nuk më merr. Për ne ka mbetur e paharrueshme sepse kemi pas vuajtje të rënda. Kemi pas keqtrajtime të mëdha. Nuk di se si mundemi të qëndrojmë ende.

Nuk e shpjegojmë dot se çfarë kemi përjetuar. Gjatë asaj nate kam menduar të mos jetoj. Kam menduar që të mos takohem më me familjen time. Jo për shkak të fajit, por nuk mundesha ta përballoja. E reja prishtinase, mungesën e lirisë pas përdhunimit e ndjen së tepërmi. Atë liri nuk mundi ta fitonte më kurrë pas asaj nate. “Ne nuk jemi të lira”, thotë ajo, pavarësisht frikës me të cilën bashkëjeton prej vitesh. Duket se flet me urrejtje për dhunuesit e saj, një urrejtje që nuk do t’i shqitet kurrë për sa kohë autorët e krimit nuk janë dënuar. E megjithatë kanë forcën të ngrenë zërin për një apel të fortë: ‘S’kemi ku të shkojmë, duhet të bëhemi bashkë e të dalim për të folur. Ne nuk jemi fajtore’. Gratë dhe nënat e Kosovës, ato që sot quhen kurbani i luftës, sot kanë një status të papërcaktuar. Shumë pak prej tyre përkrahen nga familja, ndërsa shumë të tjera stigmatizohen si fajtore edhe pse në të vërtetë janë viktima. Por ato nuk dorëzohen; vazhdojnë betejën e tyre për t’ia dalë mbanë në Kosovën patriarkale.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb