TIRANE- Deputetët e PD-së në Komisionin parlamentar të Ligjeve akuzuan dje qeverinë se ka shpenzuar miliona euro për projekte luksi, ndërkohë që nuk ka ndërtuar asnjë metër rrugë duke lënë në mes dhe projektet e trashëguara nga qeveria e demokratëve. Shkak i debateve u bë marrëveshja për financimin e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e rrugës së vjetër që lidh Tiranën me Durrësin dhe disa akse të tjera në vend.

“Nuk ka filluar një rrugë të vetme. Për 3 vjet janë bërë vetëm palma. Pa pikë turpi i kërkojmë qeverisë italiane 2 milionë euro për të bërë studimet se nuk kemi para. Turp”, – u shpreh demokrati, Eduard Halimi.

Por në replikë ndaj këtyre akuzave, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia deklaroi duke iu drejtuar kolegëve të PD-së se “ju po tentoni të vini në pushtet vetëm duke bërë deklarata të tilla duke kryer rolin e atyre që thonë se këtu gjithçka po shkon rrëmujë por të jeni të bindur se do zhgënjeheni dhe zhgënjimin e rradhës do e merrni që nga Dibra”, – u shpreh ai.

Ndërkohë ligjëvënsit e mazhorancës dhe opozitës debatuar edhe për situatën e kultivimit të kanabisit në mbarë vendin. Shkak u bë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Konventën Evropiane të Peisazheve.

“Kërkojmë miratimin e një konvente me demek që qeveria do të mbrojë biodiversitetin kur e gjithë Shqipëria është shndërruar në drogë”, – u shpreh Halimi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb