NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Personat që kanë probleme me vitet e punës nuk do t’u drejtohen më dyerve të gjykatave, por këto probleme do të zgjidhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kjo deklaratë është bërë ditën e djeshme nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes së Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Po ashtu, një tjetër vendim që është marrë gjatë mbledhjes së 30 nëntorit është edhe ai për shtimin e disa kategorive që përfitojnë nga VKM-ja nr. 409, datë 01.06.2016, “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”. Nga miratimi i këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 3 mijë pensionistë, gra që kanë bërë punë të vështira në industrinë tekstile dhe minatorë, të cilët kanë dalë në pension të plotë apo pension të parakohshëm në vitet 1993-1996.

ANKESAT & AFATET
Shkurtim i afateve të shërbimit ndaj qytetarëve përmes përshpejtimit të procedurave të verifikimit dhe marrjes së vendimeve administrative për vjetërsinë në punë, si dhe shmangie e proceseve gjyqësore. Ky ka qenë thelbi i ndryshimeve që Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi në mbledhjen e datës 30 nëntor 2016, me rregulloren “Për përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisioneve të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”. Kryetari i këtij Këshilli, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi vuri theksin në rëndësinë që ka shmangia e disa problematikave të dokumentacionit mbi periudhat e vjetërsisë në punë, që deri më sot janë zgjidhur përmes rrugës së gjyqësorit. Miratimi i kësaj rregulloreje u hap rrugën mjaft zgjidhjeve përmes procedurave administrative.

Sipas drejtuesve të ISSH-së, pas këtij vendimi pritet të shtohen zgjidhjet e plota të ankesave të qytetarëve për njohjen e periudhave të sigurimit në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore dhe parashikohen afate më të shkurtra në marrjen e përgjigjeve dhe vendimeve, si rrjedhojë e lehtësimit të procedurave dhe saktësimit të kompetencave që do të kenë komisionet që vlerësojnë dokumentacionin e vjetërsisë në punë. E veçanta e këtyre ndryshimeve është fakti se, ndahen qartësisht çështjet që do të shqyrtohen nga komisionet rajonale dhe strukturat qendrore të apelimit, nga ato çështje që do të shkojnë për zgjidhje në gjykatat e faktit, duke shkurtuar kështu me mbi tre muaj kohën e përgjigjes ndaj qytetarëve.

PENSIONET ’93-’96
Vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë në qershor 2016 “Për ngushtimin e diferencave të pensioneve” do të ketë disa ndryshime. Pasi ditën e djeshme, Këshilli Administrativ miratoi edhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 409, datë 01.06.2016, “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve”, nëpërmjet të cilit do të shqyrtohen për të përfituar një shtesë nga përfituesit e pensioneve të dalë mes viteve ’93-’96, të cilët kanë punuar në punë shumë të vështira ose të vështira, siç janë disa punë në industrinë tekstile apo në metalurgji e naftë. Nga miratimi i këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 3.000 pensionistë, gra që kanë bërë punë të vështira dhe minatorë, të cilët kanë dalë në pension të plotë apo pension të parakohshëm në vitet 1993-1996.

Nga vendimi i mëparshëm i qeverisë përfitonin 19.655 pensionistë, ku përllogaritja dhe shpërndarja e shtesës që përfitojnë për një pjesë të tyre ka nisur që në muajin korrik, ndërsa për pjesën tjetër është duke u përfunduar. Ndërkohë që, një pjesë e përfituesve, me këtë vendim të qeverisë arrin të marrë pension pleqërie që kap vlerën e 23.640 lekëve. Por me vendimin e djeshëm të Këshillit Administrativ të ISSH-së pritet që të përfitojnë nga ky vendim edhe disa kategori të reja, ku përfshihen rreth 3 mijë vetë që kanë punuar në naftë, metalurgji dhe industri tekstile.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb