Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Alban Kondi ka shumë arsye për të qenë i lumtur. Pak ditë më parë, këngëtari është bërë baba për herë të parë. Ka zgjedhur t’i vendosë emrin e të vëllait, kantautorit të ndjerë, Dr. Florit. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, Albani tregon se nuk ka qenë një vendim i lehtë, por padyshim i duhuri. Ndjesia e babait për të është akoma një magji, duke u shprehur se tek vogëlushi Flori ka gjetur gjithë botën. Megjithatë, nuk ka lënë pas dore angazhimet muzikore, duke na premtuar se shumë shpejt do të rikthehet më fuqishëm se kurrë. E në fund ka edhe një këshillë të artë për të birin. Nëse një ditë do të bënte pjesë në botën e artit, Flori ka modelin më të mirë për të ndjekur…
Si e përjetoi Albani ndjesinë e babait?
Magjike, akoma më duket si ëndërr që e jetoj çdo ditë.
A kishit shpresuar të ishte djalë?
Kur më shkonte nëpër mend që një ditë do të bëhesha baba, njëherë doja çun, pastaj gocë, pastaj çun, pastaj binjakë (qesh). Kur Ida më tha që ishte shtatzënë pata një ndjesi të fortë që ishte djalë dhe kështu doli.
Cila është fjala e parë që i thatë vogëlushit?
Nuk e di pse u bllokova në fillim dhe nuk i fola, vetëm e shihja dhe u mbusha me lot e gëzim. Më pas i thashë: ti për botën mund të jesh një numër më shumë, ndërsa për mua je gjithë bota, ti dhe mami jot.
Keni zgjedhur t’i vendosni emrin e vëllait tuaj, Dr. Florit, a ishte një vendim i vështirë?
Të them të drejtën, ishte shumë e vështirë për mua edhe kur i flisja në emër. Pasi lindi, trazohesha shumë emocionalisht, por mendoj që kam bërë gjënë e duhur, sepse ky emër është aq familjar për mua sa kisha filluar t’ia ndjeja shumë mungesën dhe më kishte marrë malli ta shqiptoja përditë.
A do ta keni të vështirë si ju, ashtu edhe familjarët t’i flisni, apo është një “ringjallje” e Dr. Florit?
Nuk e di, nuk e kam diskutuar, por besoj që sa të mësohen do të jetë e vështirë.
Kujt i ngjan Flori i vogël?
Mamit të vet.
Si po ecën studio me emrin e Dr. Florit?
Shumë mirë, tani shpejt dalin disa këngë të reja, që shpresoj të kenë impaktin që presim në publik.
A jeni të kënaqur nga qeveria për pensionin që i ka lidhur familjes së Florit?
Sigurisht që po dhe meqë m’u dha rasti, dua t’i falënderoj.
Ndërkohë duket se jeni shkëputur nga muzika, kur do të riktheheni në skenë si këngëtar?
Shpesh tundohem dhe më merr malli, por besoj që shumë shpejt do të jem për mos t’u shkëputur më. Gjithsesi, formën se si, akoma nuk e kam vendosur.
Si e keni parë muzikën vitet e fundit?
Vazhdon të jetë në tranzicion dhe në sipërfaqe ka mungesë të thelbit, fjalëve e ideve. Shumë plagjiaturë, shumë dhunë, shumë vulg dhe e gjitha justifikohet në emër të tregut. Unë mendoj ndryshe, tregu e pëlqen të bukurën në çdo lloj trajte, forme dhe përmbajtjeje, gjithsesi ka edhe materiale që më pëlqejnë.
Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga ky treg?
Jo, besoj që tani jam më në formë se kurrë më parë.
Nëse Flori i vogël do të donte t’i hynte rrugës së muzikës, çfarë këshille do t’i jepnit?
Të ndiqte modelin e emrit që mban.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: