“Jam e lodhur”! Kjo ishte fjalia e parë që Ajtanga Lubonja na tha. Ajo është një nga personazhet e njohur në media, për të kaluarën plot dhimbje dhe të vërtetat e hidhura që rrëfen për çdo politikan. E ndërsa gjendeshim në “Qytet Studenti” në godinën familjare ‘13’, një heshtje e frikshme kishte pushtuar korridoret.

Muret të shkarravitura, të plasura tek-tuk, shkallët gjysmë të rëna. Në fund të katit të tretë, ku edhe dritën dukej sikur e kishte pushtuar terri, për shumë vite jetonte zonja Ajtanga. Ambienti të lodhte, ashtu siç ajo vetë pohoi. Të jetosh mes vuajtjesh për 27 vjet në konvikte ku rendnin ta zhvendosnin.

E kaluara i ka rrënjët të thella tek ajo dhe kauza që ka mbrojtur gjithmonë është që i drejti të shpërblehet. Në një rrëfim për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare”, Lubonja ndan me ne vuajtjet, problemet shëndetësore, mllefin që ka me politikanët, raportin e ngushtë dhe vlerësimin që ka për Sali Berishën, momentet e bukura në jetë dhe marrëdhëniet me të birin.

E zhgënjyer nga mospërkrahja politike, ajo kërkon edhe një herë vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe thotë se nga vendbanimi i tanishëm nuk del për asnjë arsye. Për të nuk ka politikë kombëtare, po vetëm biznese që krijohen për interesa të ngushta të pushtetarëve. Për të gjithë politikanët, zonja Ajtanga ka diçka për të thënë. Ajo thekson raportin e ngushtë me Berishën dhe pohon se ai mbetet ikonë.

Momenti më i bukur në jetë ka qenë ardhja në jetë e të birit. Do kishte dashur që të kishte edhe një vajzë. Edhe pse vetëm, ajo nuk është pesimiste, madje ka qenë natyrë që ka luftuar gjithmonë. Për të djali është bota, krenaria e saj. Zonja Ajtanga shkruan netëve në pritje të ditëve me diell, që nuk dihetse kur do të vijnë.

Zonja Ajtanga, ju nuk keni qenë fort mirë nga gjendja shëndetësore. Si ndiheni tani?
– Unë jam gjithmonë me ilaçe, të cilat më mbajnë në jetë aksidentalisht. Ilaçet për diabetin, insulinat i bëj katër herë në ditë. Të gjithë ato që jepen me rimbursim e kam thënë dhe herë tjetër në media janë të skaduara. Në takimin që pata me Presidentin e Republikës më tha që “Metforminat” nuk bëjnë, por nuk tha si të gjendej zgjidhja që të sëmurëve t’u jepet mundësia për t’u kuruar. Pensioni për të moshuarit është për relaks, qetësi e jetës. Unë kam punuar në një gjendje makabre, kam vuajtur shumë. Jam në radhën e të persekutuarve politikë. Për dy muaj kam dhënë 88 herë gjak. I shihni dhe vetë si i kam duart nga vrimat e gjakut. Kur mora 20 lekë rrogë, thosha kujt autobusi t’i dal përpara se isha bërë 38 kg. Një vajze me këtë peshë nuk duhet t’i marrësh gjak. Kjo që po jetojmë tani është pseudo-demokraci. Siç e shikoni, unë jetoj në konvikt.

Më është mohuar e drejta për të pasur një shtëpi. Do vdes në konvikt. Nuk ka asgjë do thoni, por kjo dhemb. Këtë politikanët janë bërë me 30 shtëpi. Unë e kisha të drejtën që si e persekutuar të merrja një shtëpi dhe një pension, që u bë dhe peticion kombëtar. Pensionin e kam 150 mijë lekë. Si mund të jem mirë me shëndet? Konkretisht sot në mëngjes u gdhiva me tensionin 21. Edhe fishat e diabetit janë të kushtueshme. Ku t’i gjej 25 mijë ekë çdo muaj? Të ha apo të blej ilaçet? Disa i marrë pa rimbursim. Pse quhet diabeti sëmundje e aristokracisë? Se ka dieta të veçanta. Unë nuk blej dot një frut se nuk kam mundësi. Ngaqë unë shkruaj, ma sollën energjinë 120 mijë lekë. Çfarë të bëj? E telefonova Erion Veliajn e më tha do të nxjerrim një VKM, por asgjë deri më tani. Ma pagoi tre muaj bashkia e sërish fatura vjen 60 mijë lekë.

I keni kërkuar ndihmë ndokujt?
–Unë i jam drejtuar shtetit, për mua ai ka përgjegjësi. Miqtë janë tjetër, zënë vend tjetër, janë brenda shpirtit. Shteti ka përgjegjësi, ai duhet të më ndihmoj. Ne na kanë ndërprerë edhe lekët e të persekutuarve. Kam kërkuar takime gjithandej. Tani jam ngujuar këtu. Shihni si i kam këmbët, mushkëritë janë copë. Një jetë e mundimshme. Unë vetëm minierën nuk e kam provuar.

Në çfarë kushtesh jetoni në ‘Qytet Studenti’?
–Kam 27 vjet në “Qytet Studenti”. Fillova të rrija te godina 13. Atje pastaj filluan ato bizneset. Daja i Ilir Metës e ktheu në hotel për studentët. Pastaj studentët i hoqi. Ata shkuan në shtëpi me qira, po unë nuk kisha mundësi. Atëherë laja rroba në lavanderi. A mund të merrja unë shtëpi? E unë këmbëngula që nuk do lëvizja. Dhashë prononcime për gazetat dhe shtypin atëherë. Prej andej më çuan te godina 19. Atje ishte gjendje skandaloze, pasi nuk kishte ujë. Kur kam ardhur këtu, ju betohem që as xhama nuk kishte.

As çelës nuk kishte. Me një fjalë edhe po të kisha pesë lekë nuk haja bukë, po kujdesesha të shpenzoja për këtu. Edhe nga kjo godinë kanë dashur të më nxjerrin, po nga këtu vetëm të vdekur mund të më nxjerrin. Kushtet këto janë. Fukarallëk që të mos mundësh të kënaqësh veten. E kam ëndërr të pushoj pesë ditë që të më servirin një kafe. Dora nuk më funksionon më. Nëse marr pjatën për ta larë, do më bjerë. Kjo e imja është jetë e mundimshme. Kur hap sytë në mëngjes, i hap me keqardhje dhe them “U zgjova edhe sot”. Nuk kam asnjë dëshirë. Unë kam luftuar shumë. Nuk jam pesimiste.

Ju jetoni vetëm. A e ndjeni mungesën e njerëzve?
– Unë jam njeri që kam jetuar mes njerëzve. Ne jemi rritur në një rrugicë që quhej “Rugica e dibranëve” e nuk kishim ndarje e imja apo e jotja. Pastaj ndodhën këto, persekucioni. Shiheshim si lebrozë, megjithatë komshinjtë aty natën vinin na sillnin për të ngrënë. Kur erdha këtu në “Qytet Studenti” isha me djalin. Ai ishte 19 vjeç atëherë. Kjo jeta kolektive ishte e bukur. Kishim shumë miqësi. Unë gatuaja dhe u jepja të gjithëve. U flisja për Pavarotin. Me kalimin e kohës njerëzit u bënë më të ngurtë.

A keni raporte me kryeministrin? Cila është kërkesa që keni për të?
– Ja kam dërguar privatisht me mesazh, po ashtu edhe populli kur u bë një peticion kombëtar për t’mu dhënë pension i veçantë. I kam vajtur Blendi Klosit kur ishte ministër dhe zëvendësministër asokohe dhe më tha copë nuk e firmosim. Rama me Fatos Lubonjën janë bërë armiq tani, dikur kanë qenë miq. Ai mendonte se Fatosi që ka qenë heroii burgjeve, do realizonte ëndrrat e demokracisë së vërtetë. Fatosi nuk ka ç’ti bëjë. Ndaj më ka lënë në mëshirë të fatit.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: