TIRANE– Deputeti i LSI, Petrit Vasili e cilëson të drejtë vendimin e Presidentit Meta, i cili me anë të një dekreti, riktheu për rivotim në Kuvend ligjin për “tatimin mbi të ardhurat” duke shprehur rezerva për nenin 6 që trajton tatimin e lojërave të fatit.

Në rubrikën “Opinion” në “News24”, kreu i grupit parlamentar të LSI tha se me këtë vendim synohet që të rishikohet ligji, në mënyrë që të mos i krijohen lehtësira fiskale bixhozit.

“Është një vendim shumë i drejtë i presidentit. Unë nuk kam pse bëj më shumë komente. Bëhet fjalë për një masë inkurajuese dhe jo dekurajues që vjen sot me këtë ligj, pasi nuk duhet të ketë lehtësira fiskale për bixhozin. Dua të rikujtoj se në 2013 ka patur një operacion të policisë, ‘Fundi i Marrëzisë’, në atë kohë Rama tha se askush nuk do ndalonte këtë aksion, derisa asnjë shqiptar të mos lërë asnjë qindarkë në kumar. Por shifrat aktuale flasin tjetër gjë”, u shpreh Vasili.

Ndryshimet e ligjit për “tatimin mbi lojërat e fatit” u miratuan në muajin Korrik me paketën e re fiskale, ku tatimi mbi të ardhurat 15% nuk do të llogaritet mbi xhiron, por mbi të ardhurat bruto, duke zbritur shumën që ju shpërndahet lojtarëve fitues.

Ndryshimi i fundit ligjor që është rikthyer për rishikim nga Presidenti Meta, u interpretua nga Financat si një saktësim për të harmonizuar atë me ligjin bazë të lojërave të fatit që u miratua në vitin 2015.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb