Tifozët e Napolit prisnin shumë këtë merkato vere, por me kalimin e ditëve ata janë irrituar pasi nuk kanë parë gjë tjetër veçse përforcimin e kundërshtarëve.

Kjo ka bërë që ndërmjet tyre dhe presidentit të ketë një hendek, i cili mund të rritet akoma edhe më shumë pas deklaratave të numrit 1 të Napolit. Për radio “Kiss Kiss Napoli” Aurelio De Laurentiis ka deklaruar:

“Tifozët kërkojnë përforcime? Duan që unë të investojë para të tjera? Ashtu si ata më kontestojnë mua edhe unë i kontestoj ata. Disa prej tyre janë të droguar ose të çmendur. Duan që unë të shpenzoj për Napolin, kurse ata vetë blejnë fanella false nga 5 euro dhe nuk investojnë as 60 euro për të pasur një bluzë origjinale të Napolit,” – tha De Laurentiis.

Më pas ai ka ironizuar me drejtuesit e Torinos, skuadër nga e cila po mundohet të blejë sulmuesin Belotti: “Merkato është e çmendur. Nëse Belotti vlen 70 milionë euro dhe ka bërë 10 gola në kampionatin e kaluar, më vjen mirë sepse do të thotë që Inglese që ka bërë 11 gola do të shitet 80 milionë euro.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb