Në një intervistë për rrjetin Euronews, kryeministri i vendit, Edi Rama deklaron se miratimi i reformës në drejtësi është drejt fundit dhe se do të donte që Shqipërisë t’i hapen negociatat deri në fund të vitit.

“Miratimi i reformës në drejtësi, nuk do vonohet, është e vështirë por ne jemi drejt fundit. Duam të hapim negociatat deri në fund të vitit”,- tha ai.

Rama ka kërkuar ndër të tjera t’i jepet fund stereotipit se Shqipëria është e korruptuar.

“Mjaft më me stereotipat Shqipëria e korruptuar. Është shpifje që në Shqipëri ka trafik armësh. Shqipëria një vend që po ndryshon, por ka probleme. Shqipëria është një vend me burime të jashtëzakonshme. Po përpiqemi të ndërtojmë një model të ri ekonomik, nuk duhet lënë në Evropë një zonë gri e veçuar”.

Gazetarja: Nuk ka gjyqtar të korruptuar në Shqipëri?
Rama: Duhet t’i japim fund historisë së Shqipërisë dhe Ballkanit të korruptuar dhe të inkriminuar sepse është një steriotip që është krijuar ndër vite për të kriminalizuar lehtësisht këto vende.
Gazetarja: Sipas një raporti të anti­mafias italiane 1/3 e ekonomisë Shqiptare është e krimit…
Rama: Kjo është e neveritshme. Nuk ka pasur asnjë raport që të thotë se 1/3 e ekonomisë shqiptare është e trafikimit të qenieve njerëzore, e drogës, etj.
Gazetarja: Cilat janë shifrat tuaja? E mohoni faktin se ka trafikim droge, armësh, trafikim të femrave?
Rama: E mohoj kategorikisht dhe ju them se është plotësisht e gabuar që të flisni për trafik armësh nga Shqipëria.
Pyetja: Pra nuk ka asnjë problem Shqipëria me krimin? Çdo gjë është në rregull?
Rama: Pse duhet të shkojmë nga një ekstrem në tjetrin? Nuk e kuptoj! Nuk ka ndonjë mendim më racional? Apo është nga ana gazetareske interesante për histori të tilla. Ju e përshkruani
Shqipërinë si burim i së keqes në Evropë, por kjo nuk është e vërtetë.
Gazetarja: Kjo nuk është ajo që thash!
Rama: Është një vend që ndryshon çdo ditë, me probleme, me një të kaluar shumë, shumë të vështirë, më e vështira se e të gjitha vendeve komuniste sepse ka qenë e izoluar për 50 vite, jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në atë Lindore.
Gazetarja: Në fund një pyetje personale. Para se të hyni në politikë, keni qenë piktor. Duke u kthyer pas, nuk jeni penduar që keni lënë botën e artit?
Unë nuk pendohem kurrë për asgjë. Kisha plane të tjera, por tani jam këtu dhe kam marrë përgjegjësinë për të drejtuar qeverinë e vendit tim dhe ky është një privilegj i madh, nderi më i madh që një njeri
mund të ketë. Por në të njëjtën kohë unë nuk e kam ndalu punën si artist. Jam artist ashtu siç jam dhe Kryeministër. Pikturoj gjatë takimeve, gjatë telefonatave, më ndihmon të fokusohem dhe siç e shihni kur nuk pikturoj gjatë intervistave nuk shkon gjithçka vaj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb