TIRANE- Pamjet e kamerave të sigurisë së palestrës së Devi Kasmit ndihmuan policinë të binte në gjurmët e ish-anëtarit të forcave speciale greke që dyshohet si ekzekutor i 42-vjeçarit. “BalkanWeb” mëson se në pamje viktima dhe ekzekutori shfaqen duke debatuar.

Efthimiu Efthimius është marrë mbrëmë vonë në pyetje nga policia dhe ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen siç mëson “BalkanWeb”. Madje ai shprehet se ishte i shokuar nga arrestimi.

Greku nuk ka dhënë shpjegime nëse njihej me Devi Kasmin si dhe ka refuzuar të japë detaje rreth debatit që ka zhvilluar me të tri ditë përpara se ai të ekzekutohej në rrugën “Petro Cani”.

“Në Shqipëri kam ardhur për qejf. S’kam kryer asnjë krim”,- u ka thënë ai hetuesve në prani edhe të një avokati të caktuar kryesisht nga shteti, siç mëson “BalkanWeb”.

Nga hetimet rezulton se shtetasi grek ka hyrë në Shqipëri prej afro dy muajsh dhe është vendosur në një shtëpi me qira në zonën e “Unazës së re”. Ai ka pranuar se gjatë qëndrimit në vendin tonë është njohur me njërin nga personat e arrestuar me të.

Më herët “BalkanWeb” raportoi se ka dyshime që greku i kontaktuar nga Aurel Hoxhallari për vrasjen është paguar me një shumë prej 25 mijë eurosh, shumë kjo e gjetur në banesën ku rrinte me qira. Thuhet se 41-vjeçari kishte kontakte të hershme me grupin kriminal. Sakaq, deri më tani nuk dihet se çfarë ka dëshmuar ekzekutori në polici.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: