TIRANË- Profesor Aurel Plasari ka folur sot nga emisioni “Studio e Hapur” në News24 për situatën në vend, temat më të nxehta duke përfshirë edhe reformën në drejtësi ose vettingun. Ndonëse nuk përmendi emra, Plasari deklaroi se vettingu është shpikje e një fondacioni, duke aluduar për fondacionin Soros. Ai tha se pavarësisht emrit, është fakt i dokumentuar që është shpikje e një fondacioni privat.

“Vettingu është një shpikje e një fondacioni. Është problematike sepse është maskuar për t’u shitur sikur nuk është një shpikje e një fondacioni”, tha Plasari.

Për reformën në drejtësi, Plasari shtoi: “Kur e bën një krah politik i implikuar me krimin e abuzimin është i lexueshëm qëllimi për të kontrolluar një nga pushtetet”.

Profesor dua ta fillojmë këtë bisedë së bashku me një çështje të aktualitetit. Nuk e di a e ndoqët disa orë më parë lajmin se policia ka ndaluar një person i cili dispononte patentat e Saimir Tahirit. Çështja Tahiri ka pushtuar mediat prej disa ditësh. E keni ndjekur si tematikë?
Po, po e kam ndjekur sigurisht.

Ju ka shqetësuar dhe çfarë ju thotë ky lajm i ditës së sotme?
Ky lajm është një lloj sensacioni të themi për gazetarët dhe për njohurinë time është një gur mozaiku i një çështje shumë të madhe, të rëndë e cila nuk do të mbyllet. Çështja ka një element shumë problematik brenda që nuk është bërë publik dhe për këtë arsye shërbimet ndërkombëtare këtë çështje nuk e mbyllin. Sikur kryeshërbëtori Edi Rama ta dinte këtë element, nuk do ta merrte në mbrojtje të dyshuarin.

Ju e dini profesor këtë element?
Po.

Si e dini, mund të na thoni?
Por e kuptoj që ndoshta prokuroria e Republikës së Shqipërisë, ose prokurorët italianë nuk e kanë vënë në dijeni të të gjithë elementeve. Njëri prej atyre elementeve e bën çështjen të pambyllshme, pjesa tjetër është ajo e gazetarëve, nuk më takon mua. Por, e them që kur të konstatoni që nuk u mbyll dhe do vijojë me problematika të tjera do më kujtoni që e kam thënë.

Kur thoni e pambyllshme, e pambyllshme për Saimir Tahirin apo shkon më tej?
Shkon më tej.

Deri tek kryeshërbëtori, më lejoni ta bëj këtë batutë?
Nuk është çështje tek personat që shkon. Nuk është çështje e drogës, është çështje përtej drogës.

Na bëtë kuriozë, mund të na thoni diçka më shumë? Përtej drogës, çfarë ka më keq se kaq, armët?
Ka elemente të tjerë, gradualisht do dalin. Nuk është çudi që nesër pasnesër të dalin gazetarët e specializuar dhe t’i vënë në dukje ato elemente. Lajmi i ditës së sotme një ishte nje gur në mozaik, nuk çon në ndonjë gjurmë të rëndësishme. Nuk është jahti, makina, gjurma e rëndësishme, është një nga gjurmët. Nuk do na shkonte ta stërhollonim më tej.

Mendoni që do jetë kjo çështja me të cilën do fillojë i ashtuquajturi vetting?
Kjo çështje është jashtë vettingut shqiptar, ose të themi është pavarësisht vettingut shqiptar. Ata që kanë qenë të zellshëm, të themi ashikët e vettingut mund ta trajtojnë si të tillë, por nuk lidhet me vettingun shqiptar në mënyrë të sigurit. T’ju jap një provë? Dy ndër ndërkombëtarët që janë në Shqipëri, promovuesit kryesorë të vettingut shqiptar, për këtë çështje heshtin. Pra, kjo nuk është çështje e vettingut shqiptar.

E keni fjalën për?
Dy përfaqësues kryesorë ndërkombëtarë që ndodhen në Shqipëri.

Lu dhe Vlahutin mendoj?
Dy përfaqësuesit ndërkombëtarë. Mua me pëlqen fenomeni, emrin edhe mund tua di gabim. Për këtë çështje kanë heshtur. Kjo është gjë e mirë për të kuptuar dështimin e parë të vettingut shqiptar.

Ju vettingun në Shqipëri e krahasoni me atë që bëri Hitleri në Gjermani në vitin 1933. Përse ky krahasim profesor?

Po, sepse kur e bën një krah politik i implikuar me krimin e abuzimet është i lexueshëm qëllimi për të kontrolluar një nga pushtetet.

Pra, ju nuk keni asnjë besim se vettingu në Shqipëri do të kryhet?
Pushteti ekzekutiv nuk ka pse të rrijë pa gjumë ditë-natë për t’u marrë me një nga pushtetet e tjera. Nuk është detyrë kjo e pushtetit ekzekutiv, qysh prej këtij momenti kur pushteti ekzekutiv mobilizohet për të rindërtuar një pushtet tjetër, kjo është e dyshimtë. Kjo është për të pyetur se çfarë lloji interesi ka. Pushteti tjetër duhet të ishte i interesuar për të kontrolluar kriminalitetin në pushtetin ekzekutiv. Këtu janë ndërruar rolet. Ky është ndërrim rolesh është simetrik me ndërrimin e roleve në Rajhun e tretë, kur u bënë ndryshimet kushtetuese.

Ju thoni më 25 tetor, “një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese”.
E keni parasysh pse e them këtë. Shqiptarët kanë vuajtur një diktaturë që ka ardhur në rrethana të veçanta. Pas luftës së II botërore. Diktaturat vijnë edhe me ata që marrin pushtetin me vota dhe duan ta përdorin për hir të pushtetit. Një njeri që thotë largohem nga pushteti kur të dua unë. Çfarë do të thotë?

Në SHBA një njeri i tillë do të thërritej nga komisioni i kontrollit dhe do i thoshte çfarë mjetesh keni përvec votave që ju largoheni nga pushteti vetëm kur doni ju? Kjo është një situatë ku votime reale nuk ka dhe populli nuk pyetet dhe gjithçka është artificë.
Ai nuk ka thënë se iki kur të më largojë populli por kur të dua vetë. Ky është element tipik i diktaturës. Enver Hoxha nuk ka guxuar kurrë ta thotë këtë, kurrë.

Edi Rama e thotë…
Në Shqipëri kemi njerëz që e kanë thënë. Emrin thuaje ti, se s’kam dëshirë.

Për sa i përket vettingut…
Vettingu është një shpikje e një fondacioni. Është problematike sepse është maskuar për t’u shitur sikur nuk është një shpikje e një fondacioni. Le ta ketë emrin si të dojë. Le mos të bëjmë sikur po merret bota me të. Është konspiracion, që ta sajojë një fondacion, ky është fakt.

Është fakt i dokumentuar që është shpifje e një fondacioni privat. Është dokumentuar në propozimin e kësaj reforme, që të marrë përsipër edhe pagesat.

Por vettingu është bërë edhe në Rumani e vende të tjera.
Nuk e di. Duhet të informohem si janë bërë në Rumani apo…

Si do e shpjegoni çështjen që ndërkombëtarët e kanë mbështetur këtë reformë?
Do kuptohet mbas dy tre vjetësh. Koha vet do e saktësojë se çfarë ka ndodhur me qëndrimin e një numri ambasadorësh në Shqipëri nga 92 e këtej.

A duhet të lejohet që një ambasador të bënte axhenda personale?
Se thash kete
E thash unë…
Se di. Ambasadori jep porositë, dhe vet të jetë më pak i dukshëm.

A është e nevojshme reforma në drejtësi?
Për të tre pushtetet po bëhet mirë për spastrimin. Nëse merret vetëm me një pushtet spastrimi, kjo është e dyshimtë atëherë. Spastrimi është i nevojshëm për të tre pushtetet, ndërsa tek ne është i domosdoshëm, i vonuar për të treja pushtetet. Jo njeri pushtet ‘qaj me lot’ dhe merremi me pushtetin tjetër.

Si e komentoni sjelljen e kryeministrit Rama me gazetarët?

Skena ishte e cthurur edhe nga ana e gazetarëve, pasi të gjithë donin të kapnin përgjigjet. Atij i krijonin një kakofoni gazetarët. Pra, një tingëllim të keq me pyetjet.

Të të them një situatë të veçantë. Unë jam nga të dyja anët sepse kam një karrierë në shtypin letrar, vite shumë me radhë. Në këtë kuptim jam nga krahu i mediave, kam dhe një pjesë të punës sime si drejtues administrativ që shpesh bezdiset nga media dhe mungesa e sjelljes korrekte të medias, ndaj e kam këtë mundësi që në grupin e stërmadh të gazetarëve dallohen ata individë, ata gazetarë që mund t’i vlerësosh për cilësinë dhe ata nuk janë pjesa më e madhe. Kjo është një realitet. Sigurisht një kryeminister e ka të vështirë me këtë sidomos kur është i ngarkuar nga problematikat, kur duhet të dëgjohet. Nuk mendoj që e bën me qëllim por nga paaftësia për t’i përballuar me qetësi. Ndoshta dhe unë nuk do e kisha përballuar me qetësi. Por një kryeministër do duhej të sillej ndryshe. E dhashë këtë shpjegim qoftë edhe në atë incident që ka ndodhur të dyja palët kanë çfarë të shohin. Ai incident, është një valle dyshe. Valle teke nuk bëhet.

Ky model, shpesh atakues i medias që e quan kazan pavarësisht se brenda kazanit rri gjithë ditën qeveria, parlamenti. A është si modeli i Trump?

Nuk e bëj dot këtë krahasim sepse përsëri në rast se zotin Trump e njoh shumë-shumë pak, zotërinë tjetër e njoh shumë. Besoj se është pjesë e natyrës së tij. Ju e keni të regjistruar në kronikat tuaja edhe me elemente të tilla të vazhdueshme. Është pjesë e behaviour të tij.

Një nga kritikat lidhet me leximin, ju thotë shkoni e lexoni, jeni të painformuar, të paditur. Profesor a lexojnë shqiptarët, ne të gjithë?

Lexohet më pak sepse informacioni është bërë shumë më i hapur, më i disponueshëm, më për duarsh, edhe mjetet e informimit janë bërë mjaft më të larmishme. Kjo situatë ofron mundësi nga më të ndryshmet të leximit, jo leximit klasik. Lexim është edhe leximi i facebook-ut, i lajmeve, titrave. N.q.s flasim për leximin klasik, ka ardhur duke u tërhequr. Leximi që prodhon dije ka ardhur duke u zvogëluar. Në radhë të parë pare shkak për këtë janë defektet e mëdha të sistemit arsimor, që janë 27 vjeçare. Si konstatohen këto defekte, dikush që jep mësim në nivel universitar e konstaton në nivelin e atyre që vijnë për të studiuar në fakultet. Vite më parë mbaj mend përpjekjen për të shpjeguar që mbaruam me mendimtarët e antikitetit dhe hyjmë në një epokë tjetër, e cila është për të komunikuar, një epokë që ndodhet në mes, mes. Askush nuk e thotë dot mesjetë. Kjo tregon që kur ka filluar prishja e sistemit tonë arsimor.

Do qeshë një kolegu im, një nga detyrat që jepte. Grupo B eposi homerik dhe detyra me shkrim ishte eposi në Amerikë. Befasia ishte që ishin mbushur dy faqe. Në këtë situatë nuk mund të flitet më për  lexim të mirëfilltë, shkencor, profesional, formues. Janë prishur këto marrëdhënie. Nuk janë marrëdhënie mirëfilli të bibliotekave. Mekanizmat e leximit janë të dëmtuara prej një çerek shekulli.

Ju po bëni përgjegjës tranzicionin?

Është pjesë e tranzicionit të dështuar.

Ju po thoni që në bibliotekë shihnit përherë të njëjtët njerëz?

Jo nuk e them këtë. Biblioteka ka një autenticitet. Por nuk është ky leximi masiv. Biblioteka Kombëtare ka një specifikë të caktuar me ato koleksione. Nuk matet aty, matet në shumë nga ato struktura dhe kryesorja është arsimi. Arsimi është në një gjendje për të cilën flitet shumë pak dhe ajo gjendje përpiqet që të mbulohet, maskohet, manipulohet. Është e pambulueshme. Arsimi në regjimin e kontrolluar që kemi kaluar. Dy entitetet e një shkolle, universitet, informacioni dhe dijet, menaxhimi. Informacioni atëherë ishte i censuruar, i cunguar, i penguar, disiplina, menaxhimi nuk kishte shumë probleme. Sot çfarë ka ndodhur? Sot informacioni është 100% i lirë, mund të lexosh libra këtu, të porosisësh libra jashtë etj. Pjesa e menaxhimit është pjesa e dëmtuar dhe e shthurur. Ju përmendët zotin Fuga që me të drejtë ka denoncuar farsën e zgjedhjeve në Akademi, por kjo ndodh në fakultetin e zotit Fuga, në 3-4 raunde janë 2-3 persona. Ua them unë, janë miq të mi se Fuga ndoshta nuk e thotë sepse është aty. Fatmirësisht e kuptuan dhe u bënë deputetë dhe u mbyll kjo.

Profesor qëndrojmë pak tek Akademia. Kryeministri ka paralajmëruar t’u ndërpresë fondet. Si e shihni këtë debat?
Unë mendoj që Enver Hoxha kur e ka krijuar me vendim të Komunitet Qendrore imitoi modelin fashist. Sigurisht mund ta ketë veshur me modelin sovjetik. Shqipëria ka pasur një organizëm të tillë, që quhej Instituti i Studimeve Shqiptare. Ishte një akademi që ushtronte edhe ajo luftën e klasave. Dhe kjo luftë ideologjike është ajo që ka vënë në dukje Mitrush Kuteli. Çfarë imitoi Enver Hoxha?! Jo një nga ata që ne e mendojmë se; ose e kemi armik, ose s’na pëlqen. Pse nuk ishte Lasgush Poradeci anëtar i kësaj akademi? Pse nuk ishte Vedat Kokana anëtar i asaj Akademie? Pse nuk ishin këta të padëshiruarit? Që kur u themelua ajo ka ndjekur atë model të freskët, model fashist.

Duhet mbyllur? Duhet rinovuar?
Mua më ka pëlqyer prononcimi i profesor Xheval Lloshit. Ai jep argumentet se pse ajo akademi duhet të shkrihet, duhet të mbetet onorifike, por pa atribute të tjera. Jo që nuk jam anëtar i asaj Akademie, por skam kërkuar kurrë. Kjo tregon dhe ‘parapëlqim’ tim.

Problemi cili është? Fakti që nuk ka produkt shkencor? Që merren shpërblime? Ku qëndron problemi?
Nuk më paske kuptuar.

Sapo ju pyetja
Modeli i luftës së klasave.

Kjo është çështja?
Për mua. Modeli i luftës së klasave ka bërë që mos të reformohet.

Kam edhe shumë pak minuta, duka t’ja dedikoj letërisë.. Shqipëria ka pasur figura të rëndësishme, që kanë kontribuar edhe në themelimin e Akademisë së Shkencave. A jemi në gjendje t’i zëvendësojmë këta emra?
Tërhiqe këtë termin ‘zëvendësim’. Askush nuk zëvendësohet.

Më ndihmoni ta zëvendësoj…
Administrativisht nuk mund të zëvendësohet. Nuk vdiq Kampi dhe e zëvendësoj Schopenhauer. Çdo brez ka idetë e veta, që i quajnë të elitave. Në Shqipëri është një proces i dëmtuar, pasi elitat studioheshin në këtë mënyrë. Ato janë produkt i një seleksioni social dhe kulturor. Tek ky seleksion ndihmon elita e vjetër, për promovimin e atyre që janë të selektueshëm pozitivisht. Ça rreziku ka kur elita vjen nga proces i deformuar? Ata mund të prodhojnë të ngjashmit e vet.

Si një studiues i letërsie, cilët periudhë do veçonit si të artë?
Të argjendtë, vitet 30-40, të artë nuk gjej. Vitet 30 i quaj të argjendëta për produktin jo vetëm letrat, por gazetaror, rrymave të mendimit, pa vrarë koburen, pa e sharë nga nëna dhe farefisi. Atë periudhë e kam njoftuar në një libër të ardhshëm në një tryezë me Blendi Fevziun. Nëse nuk e kam kryer pjesërisht atë libër, pasi them; po shtoj edhe botim, me gazetar, botues. Them të shtoj edhe një, edhe një.

Po personazh të artë ka? Të argjendtë apo dhe të bronztë?
Kush vepron në këtë mënyrë në letërsi, nuk bëm mirë.

Po letërsinë e demokracisë ç’mund të na thoni?
E ndjek pak sepse nuk kam mundësi. Do doja ta ndiqja, të ndihesha pak më i ri. Por nuk është shumë e mundur, pasi ambiciet për të bërë disa punë të tjera, ta kufizojnë mundësinë.

Po autorë që mund t’i rezistojnë kohës?
Shumë pak, pasi nga ana profesionale unë mund të jem si ai specialisti i fizikës qe merret me tinguj. Tek këta që shkruajnë konstatoj problematikën se si shkruajnë, si ballafaqojnë fjalët, si i zhvendosin. Veprat letrare që rezistojnë janë ato të shkruajtura mirë. Ajo vepër i reziston kohës.

Dua të flasim së fundmi për librat tuaj. Siç është përshembull Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II si dhe Skënderbeu?

Kjo është vepër e kaluar dhe bëhet fjalë për luftërat të organizuara nga Skëndërbu. Aleancat ishin me mbretërit e Aragonit dhe me Duket e Firenzes. Pra, kjo aleancë e bën Arbërinë të përfshirë në lëvizjen evropiane. Kjo pjesë është një nga fragmentet me interes të Arbërisë. Askush nuk i thoshte Ballkan Perëndimor si sot. Pra kjo situatë është e kuptueshme. Unë mendoj se librat duhet ti shkruash për vete dhe nëse bën më pas ua tregon të tjerëve.

Pse figura për Skënderbeun ngjall debat?

Ky debat është i vjetër dhe ka nisur në një organ shtypi në 1904. Pra është sajuar duke i veshur historisë së Skënderbeut realitet të rremë që nuk kanë të bëjnë me të. Pra këto trillime kanë ardhur duke u shtuar dhe prodhohen për të ushqyer një opinion të caktuar në publik. Pra ky opinion ushqehet me këtë korace. Një nga trillimet e fundit ishte që ka luftuar për Venedikun? Jo nuk ka luftuar. Zotërimet e Venedikut e pengonin Skënderbeun. Ka dokumente se Venedku ka paguar për ta vrarë Skënderbeun. Pra si mund të guxojë një lapanjos të thotë se ky ka luftuar për Venedikun. Venediku ka qenë në traktat paqeje me Sulltanin. Injoranca është në nivele të larta me këto trillime. Ky është sekreti i falsifikatorëve. Pra kur ke një pjesë të vërtetë, por këta nuk kanë asnjë të vërtetë që të mund të falsifikojnë. Edhe pjesa që thuhet se luftoi me grekët. Cilët grekë? Nuk kishte grekë.

Edhe mamaja e tij thonë se është serbe?

Ajo mund të jetë ngado, Arianitët kanë pasur krushqi me të gjithë.

Kujt i shërben bërja pis e kësaj figure?

I shërben destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit shqiptar. Ne themi që flamuri që kemi është i Kastriotëve. Është në të vërtetë i Skënderbeut. Ne kemi të dhëna që flamuri i Kastriotit ishte pak ndryshe. Si u bë flamur kombëtar? U bë falë Faik Konicës i cili thotë se ky duhet të jetë flamuri kombëtar i shqiptarëve. Pra flamurin kombëtar e kemi prej Konicës dhe prej Kastriotëve dhe me njollosjen e kësaj figure kërkohen t’i hiqen bazat e konstituimit të shtetit.

Si e patë debatin gjatë faljeve të namazit?
Këto janë elemente….nuk dua të futem në këto ngjarje meskine. Mbaj mend që kryetari i komuniteti bëri një sqarim. Ishte i qartë. S’dua të flas.

Keni bashkëpunim me akademinë?
Në konferenca të tilla, duhet të bashkëpunojmë. Një pjesë të tyre i kam kolegë, miq. Kjo s’do të thotë që mos të kuptojnë rëndësinë e reformës. Një pjesë e tyre janë pro reformimit. Nuk janë në fushë beteje. Për të marrë pjesë ne konferenca është krejt e natyrshme.

Keni një objektiv?
Kam një projekt që është në periudhën e principatave, pasi më pëlqejnë periudhat e lavdishme, me pak ar. Është një punë që gjithmonë të duket sikur e ke mbaruar dhe del një konferencë.

S’do e arrini panairin e librit?
Jo skam joshje. Panairet i shfrytëzoj unë për të hedhur një sy unë. E pëlqej si konsumator më shumë. Për të dalë pak për ‘gjahun e librave’ dhe aty mund t’i kapësh.
(m.k/ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: